Kreu i Bashkësisë Islame në Podujevë, Bekim Jashari, ka folur për incidentin e rëndë të ndodhur në fshatin Lupç të Podujevës ku imami i xhamisë, Zeqir Berisha, është rrahur brutalisht nga tre persona të cilët edhe po mbahen në Polici.
Siç ka treguar Jashari, ka pasur përpjekje që të ndërhyhet në punët e imamit dhe se është bërë përpjekje që në atë xhami të predikohet një mënyrë tjetër e faljes dhe jo sipas mënyrës tradicionale për të cilën mënyrë ka insistuar imami Zeqir Berisha.
“Informacionet e para nëse i kthehemi kronologjisë, është se në imami ka qenë në Gllamnik dhe ka ardhur në Lupç. Imami viteve të fundit ka pasur probleme me një predikim të një islami ndryshe, e për të cilat na kanë njoftuar. Ka pasur tendenca për ndërhyrje në autonominë e tij të punës. Shkolla jonë është Hanefi, dhe imami e ka ruajtur këtë frymë. Në këtë situatë mund të japim versionet se i besojmë imamit tonë, sepse ai është legjitim për të kryer detyrën e tij”, ka thënë Bekim Jashari në Frontal të T7.
Kreu i BIK-ut në Podujevë ka treguar se i njeh emrat të cilët janë arrestuar për sulmin ndaj imamit, meqë të njëjtit kishin vizituar zyrat e BIK-ut në Podujevë.
Siç thotë Jashari të njëjtëve iu ishte bërë e ditur se imami është përfaqësuesi legjitim dhe se ata thjesht ishin xhemati.
“Është tentuar që islami në këtë Xhami të marr pamje ndryshe, Pa paragjykuar sulmuesit. Këta i njoh si emra. Në vitin që shkoi i kemi takuar në zyrën tonë. I kemi treguar atyre se Bashkësinë Islame e përfaqëson imami dhe ju jeni vetëm xhemat. Nëse ka elemente të sulmit ideologjik, bëjmë me dije se në Llap, Kosovë e Shqiptari se elemente të frymëzuara nga doktrina të huaja nuk do të kenë vend në Llap. Urojmë të që mos dali kjo . Është ankuar dhjetëra herë në Bashkësi Islame dhe në Policinë e Shtetit. Një punëtor që ka qëlluar para 3 jave në xhami ka treguar se është sulmuar fuqishëm verbalisht imami në fjalë”, ka shtuar tutje.
Jashari në fjalën e tij ka lënë të kuptohet se ka pasur përpjekje për të ndryshuar mënyrën e faljes në këtë xhami dhe se për një gjë të tillë imami në fjalë ishte ankuar edhe më herët për personat që janë arrestuar për sulmin.