×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Rrahja e imamit që tronditi fshatin Lupç, si u rrahë për vdekje imami Zeqir Berisha nga tre ekstremistët

Insajderi
22 July 2022 - 15:03
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Imami i xhamisë së fshatit Lupç të Podujevës, Zeqir Berisha dyshohet se u rrahë mbrëmë në xhami nga tre vëllezërit Atdhe, Behar dhe Shkodran Murturi, shkruan Gazeta Insajderi.

Derisa tre të dyshuarit ndodhën në ndalim për 48 orë imami është duke u trajtuar në QKUK. Ai ka pësuar frakturë (thyerje) në tri vende në kokë si dhe e plagosur i ka mbetur edhe dora e djathtë.

Rreth orës 02:45 pas mesnate imami i është nënshtruar edhe një operacioni.

Kështu thanë burime të Insajderit, e të cilat më pas u konfirmuan edhe nga kryetari i Bashkësisë Islame në Podujevë, Mensur Hoti pas vizitës që i bëri sot imamit në QKUK.

Burime të gazetës thanë se deri tek rasti i rrahjes brutale ka ardhur pasi tre vëllezërit ishin munduar të ndërhyjnë në mënyrën e organizimit të jetës fetare brenda xhamisë të cilën imami e drejton, pasi që siç mëson Insajderi këta tre persona nga organet e rendit konsiderohen si ekstremistë fetarë.

Rasti në polici ishte raportuar nga Atdhe Murturi, i cili ishte paraqitur në polici fillimisht si dëshmitar, duke thënë se e kishte gjetur të gjakosur hoxhën dhe të shtrirë në tokë.

Asnjëri nga vëllezërit nuk e ka pranuar fajin.

Imami Zeqiri i kishte lajmëruar në polici kohë më parë këta persona, për ngacmim dhe kërcënim, por që nga organet e rendit nuk ishin ndërmarr hapa.

Rastin e rrahjes për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës derisa bëhet me dije se të njëjtit pas intervistimit janë dërguar në qendrën e mbajtjes.

“Personi i lënduar Z.B. mashkull, është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore të Podujevës menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e verimeve operativo-hetimore dhe kanë arritë të arrestojnë tre persona të dyshuar. Personat e arrestuar: 1. B.M, mashkull 27vjeç 2.A.M, mashkull 28vjeç dhe 3. Sh.M mashkull 25vjeç,”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së policisë, Flora Ahmeti për Insajderin.

Imami në gjendje të rëndë shëndetësorë thuajse pa vetëdije

Për gjendjen e imamit për Insajderin foli edhe Mensur Hoti, kryetari i Bashkësisë Islame në Podujevë, Mensur Hoti menjëherë pas vizitës që i bëri në QKUK. Shtoi se gjendjen e ka të rëndë.

“Gjendja e imamit ishte e tmerrshme, ishte shqetësues, gjendje shumë e rëndë, lëndime kishte në të gjitha pjesët e kokës, kishte pasur gjakderdhje, thyerje, qepje. Po ishte në vetëdije por nuk ishte në gjendje të flas”, tha Hoti.

Hoti po ashtu tha se imami ishte ankuar për personat në fjalë dhe se këshilli i Bashkësisë i kishte njoftuar organet e rendit.

“Na si këshill jemi të shqetësuar me këtë çështje, për polic janë të njohur të dyshuarit që tashmë janë arrestuar. Kemi pasur dyshime për të njëjtit sepse ka pasur ankesa prej hoxhës, ne i kemi lajmëruar organet e rendit”, tha Hoti për Insajderi.

Rasti e ka dënuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës

Përmes një komunikate për media BIK-u ka dënuar sulmin e rëndë që ndodhi ndaj imamit, Zeqir Berisha.

“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës. Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar”, thuhet në komunikatë.

BIK-u iu ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga ky sulm, dhe drejtësia ta thotë fjalën e saj.

“Imami është autoriteti më i lartë fetarë në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës. Mbështesim dhe i qëndrojmë afër imamit të respektuar, e nga xhemati kërkojmë që të distancohen nga autorët e sulmit, ndërsa nga organet e drejtësisë kërkojmë që të japin vendimet e duhura, sepse është sulmuar imami – autoriteti zyrtar fetar në vendin e tij të punës, si dhe është atakuar hapësira e xhamisë, e cila është e dedikuar për lutje e ibadete”, vijon komunikata.

Fillimisht rasti ishte iniciuar si “lëndim i rëndë trupor” por vetëm pastaj me sugjerim të prokurores për Krime të Rënda rasti është duke u hetuar si “vrasje në tentativë”.

/GazetaInsajderi

Lexo edhe:

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark