Krijohet ilaçi shumë herë më i fortë sesa antibiotiku – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Krijohet ilaçi shumë herë më i fortë sesa antibiotiku

    Insajderi
    30 May 2017 - 16:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkencëtarët amerikanë kanë përmirësuar një antibiotik të rëndësishëm, me shpresën se krijimi i një superilaçi do t’i japë fund kërcënimit të patogjenëve rezistentë ndaj mjekimit.

    Versioni i ri i “vankomicinës” është konceptuar të jetë tejet i fortë. Sipas revistës shkencore “PNAS”, ai do të jetë 1.000 herë më i fuqishëm sesa antibiotiku i vjetër.

    Betejën ndaj baktereve, ky mjekim i ri e zhvillon në 3 mënyra të ndryshme, duke i ulur shumë gjasat e një qëndrueshmërie ndaj veprimit të tij.

    Megjithatë, entuziazmi që ai ngjall duhet frenuar pak, duke qenë se superantibiotiku nuk është testuar ende te kafshët, e më pas njerëzit.

    Ekipi i Institutit Kërkimor “Scripps” shpreson që medikamenti të jetë gati për përdorim brenda 5 vitesh, pasi t’i ketë kaluar të gjitha testet e nevojshme.

    Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se bota ka hyrë në atë që e konsiderojnë si “epoka postantibiotokëve”, ku disa infeksione mund të kthehen në të pakurueshme.

    Një prej patogjenëve, që i shqetëson më shumë mjekët, është “enterococci” apo “VRE”, i cili është pikërisht rezistent ndaj “vankomicinës”. Ky bakter mund të gjendet nëpër spitale e shkakton infeksione gjaku, të cilat përbëjnë – sipas OBSH-së, – rrezik të madh për shëndetin e njeriut.

    Disa antibiotikë funksionojnë ende kundër “VRE”-së, por “vankomicina” 60-vjeçare është krejtësisht e pafuqishme ndaj tij.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark