Mirushe Lohaj, motra e gruas së vrarë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, ka rrëfyer mes lotësh momentin kur kuptoi lajmin se motra e saj Hamide Magashi është vrarë. Dyshohet se ajo është vrarë nga ish- burri i saj. Raportohet se gruaja ishte shtatzënë. Policia ka konifrmuar rastin sipas tyre viktima është 35-vjeçe.
Ndërsa motra e saj Mirushe Lohaj ka thënë se lajmin e ka mësuar nga motra tjetër e saj e cila e kishte thirrur në telefon.
“Rastin e kam kuptuar në lajme, motra e dytë është e martuar në Sllovi dhe më ka thirr. Më tha ‘oj motër është një rast qashtu edhe veç motra jonë është’. Thash jo bre jo se desh u alivanosa dhe më tha ‘po’. E kam thirr menjëherë burrin dhe jemi nis ne, jemi nis me një veturë që ka pas gjasa me na lan në rrugë”, tregon mes lotësh Mirushja.
Ajo insistoi se policia ka qenë në dijeni si dhe mjekët për rastin e saj me ish-bashkëshortin me të cilin kishte qenë e martuar për katër muaj.
“Policia ka qenë në dijeni për rastin pasi që katër muaj është ndarë prej tij, e ka dite policia, sociali gjendjen e saj si e ka…Motra s’na ka treguar neve asgjë, ama ne kemi ardhur e kemi vizituar”, tha ajo.
Mirushja tregoi se për vizitë kanë qenë edhe vjehrra e viktimës dhe nëna e dorasit të dyshuar bashkë me vajzën e saj dhe kishin tentuar të pajtonin çiftin e divorcuar.
“Kish qenë vjehrra vetë dhe kunata saj një ditë aty dhe ne s’kemi fol. Ajo ka dalë ka bërë muhabet dhe i thoshte ‘kthehu për hatër të fëmijës’. I ka thënë ‘kush të murr në qaf’ dhe ja ka kthyer ‘djali yt më ka marrë në qaf’”, tregon Mirushja.