Podujeva po përballet prej pesë ditësh me grumbullimin e mbeturinave nëpër rrugë, lagje dhe hapësira publike, duke krijuar papastërti në qytet.
Moslargimi i mbeturinave ka rënduar gjendjen higjieno-sanitare, ndërsa banorët janë ankuar për papastërtinë dhe erën e rëndë, sidomos në periudhën e temperaturave të larta dhe fluksit të shtuar të mërgimtarëve.
Për shkak të situatës së krijuar, Komuna e Podujevës ka shpallur gjendje emergjente për menaxhimin e mbeturinave, e cila do të jetë në fuqi nga 5 gushti deri më 5 nëntor 2026.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, deklaroi se problemet me grumbullimin e mbeturinave kanë vazhduar prej muajsh dhe se Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” nuk ka arritur të ofrojë shërbimin as në zonat që ka në përgjegjësi.
“Ka raste që operon vetëm me një kamion, e ka ditë që nuk ofron fare shërbim. Duke pasur parasysh rritjen e sasisë së mbeturinave dhe rrezikun për shëndetin publik, kemi marrë vendim për shpalljen e gjendjes emergjente”, tha Bulliqi.
Ai shtoi se Komuna e ka mbështetur vazhdimisht KRM “Pastrimi” me subvencione për të lehtësuar operimin e saj, por sipas tij, problemet burojnë nga keqmenaxhimi i ndërmarrjes.
Nga ana tjetër, kryeshefi i KRM “Pastrimi”, Petrit Reçica, në një deklaratë për Insajderin, fajin për gjendjen ia atribuon Komunës së Podujevës.
Sipas Reçicës, problemi është krijuar ndër vite për shkak të mosveprimit të komunës në përmbushjen e obligimeve ligjore lidhur me menaxhimin e mbeturinave dhe mosrishikimin e tarifave të shërbimit.
Ai tha se tarifa për ekonomitë familjare ka mbetur 4.70 euro që nga viti 2008, duke përfshirë TVSH-në, ndërsa kompania inkason rreth 3.8 euro për njësi banimi. Ndërkohë, sipas tij, vetëm kostoja e deponimit të një toni mbeturina në Deponinë Qendrore tejkalon 12 euro dhe rritet me një euro çdo vit, bazuar në vendim të ministrit.
Reçica për Insajderin theksoi se mungesa e një tarife reale ka bërë që njësia në Podujevë të operojë me humbje për më shumë se katër vjet, duke pamundësuar mirëmbajtjen e pajisjeve dhe investimet në mekanizëm të ri.
“Është e pamundur të ofrohet shërbim cilësor me dëmet financiare që kemi pësuar vazhdimisht, sidomos me zhvillimet e fundit. Këto veprime kanë vënë në rrezik edhe pagat dhe vendet e punës së punonjësve tanë. Sot problemi në Podujevë lë më shumë shije të një skenari të inskenuar për të krijuar një ‘krizë’ sesa për të gjetur zgjidhje reale për qytetarët”, deklaroi Reçica.
Ai shtoi se, sipas ndërmarrjes, përgjegjësia për çdo vonesë apo ankesë lidhur me shërbimin i takon Komunës së Podujevës dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike.