Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriu, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj kanë theksuar përkushtimin e qeverisë për avancim të mëtejmë dhe eliminimin e çdo forme të cenimit të të drejtave të njeriut në Kosovë.
“Qytetarët e Kosovës, si pasojë e okupimit shumëvjeçar, e dinë më mirë se kushdo tjetër se çfarë do të thotë shkelja e të drejtave të njeriut. Republika e Kosovës sot, përbën modelin më afirmativ në rajon dhe më gjerë për mbrojtjen kushtetuese e ligjore, si dhe respektimin në praktikë të të drejtave të njeriut, në veçanti të kategorive tradicionalisht të diskriminuara”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Republika e Kosovës, ka shtuar Mustafa, është e destinuar të jetë model suksesi dhe prijëse rajonale në këtë fushë dhe shumë aspekte të tjera ku theksohen vlerat më të larta të humanizmit.
Ndërsa, Hoxhaj përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka thënë se Kosova është e përkushtuar në promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Duke festuar ditën e të drejtave të njeriut. Kosova është e përkushtuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit”, ka shkruar kryediplomati kosovar. /Insajderi.com