×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Kryeministri e qet Telekomin jashtë “binarëve”, mban jashtëligjshëm menaxhmentin partiak

    Insajderi
    04 May 2022 - 16:47

    Në mënyrë të jashtëligjshme janë duke ushtruar funksionin si Ushtrues Detyre disa drejtorë brenda Telekomit të Kosovës. Duke filluar nga kryeshefja ekzekutive Burbuqe Hana, e cila tashmë e bën një vit që është duke ushtruar pozitën si U.D Kryshefe Ekzekutive. Mandati i saj dhe antëtarëve tjerë të bordit ishte gjashtë muaj, por tash e pesë muaj ata vazhdojnë punën në mënyrë të jashtëligjshme

    Në fillim të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte premtuar ta bëjë Telekomin lider në vend, por në vend të kësaj menaxhmenti që e emëroi ai po vazhdon punën në mënyrë të jashtëligjshëm në drejtimin e kësaj ndërmarrje publike.

    Menaxhmenti i përkohshëm, që e emëroi Kurti ka pasur afat vetëm gjashtë muaj. Por kanë kaluar pesë muaj që ky menaxhment vazhdon punën si ushtrues detyre në mënyrë të jashtëligjshme.

    Këtë e konfirmon edhe vetë Telekomi përmes një përgjigje për Gazetën Insajderi.

    Bëhet fjalë për Burbuqe Hana, ushtruese e detyrës së Kryeshefes Ekzekutive të Telekomit, mandati i përkohshëm i së cilës në krye të ndërmarrjes ka përfunduar para pesë muajve.

    Ajo po vazhdon në mënyrë të kundërligjshme të ushtroj këtë funksion, ndonëse i pari i qeverisë kishte premtuar ta vendos këtë ndërmarrje në binarë të zhvillimit.

    Gazeta Insajderi mëson se Burbuqe Hana, është edhe përkrahëse e partisë në pushtet. Më 2016-të, Burbuqe Hana kishte qenë pjesë e protestave të Vetëvendosjes në sheshet kryesore të Prishtinës.

    Madje, pjesëmarrja e Hanës faktohet edhe nga fotografitë.

    Avancimet politike të përkrahësve të Vetëvendosjes nuk munguan edhe në disa pozita tjera brenda Telekomit të Kosovës.

    Feim Kelmendi, është një tjetër militant i Lëvizjes vetëvendosje i cili po vazhdon të ushtroj mandatin si U.D zyrtar i financave dhe thesarit në Telekom pa mandat ligjor.

    Insajderi mëson se Kelmendi është militant i Vetëvendosjes. Kjo shihet edhe nga postimit e tij në rrjetin social “Facebook”. Ai shihet se është adhurues i flaktë i kryeministrit Albin Kurti i cili edhe e rehatoi në këtë pozitë në Telekom që 11 muaj.

    Po ashtu edhe U.D e drejtoreshës së burimeve njerëzore, Leonora Syla është duke ushtruar këtë pozitë që 11 muaj në mënyrë të jashtëligjshme.

    Edhe kjo është një militante dhe përkrahëse e madhe e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Insjaderi mëson se janë një sër personash që janë duke ushtruar jashtëligjshëm pozitën e tyre në Telekom e që të njëjtit janë edhe përkrahëse dhe militantë të partisë në pushtet.

    Sanie Sahiti U.D i drejtorit të Legales, Halil Krasniqi U.D i drejtorit të Teknikut, Avni Tafilaj U.D drejtor i Marketingut, Bashkim Dina U.D i drejtorit të Logjistikës, Delvete Gjigolli U.D zyrtare e auditimit.

    Të gjithë këta janë të emëruar pa procedurë ligjore, pa përvoja pune ne pozitat e nivelit drejtues, dhe vazhdojnë te punojnë ne ato pozita pa mandat ligjore mbi që 5 muaj përderisa legjislacioni e parasheh maksimum 6 muaj mandatin.

    Funksionimin e tyre në mënyrë të jashtëligjshme e konfirmon edhe zyra për media e Telekomit të Kosovës.

    Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, thuhet se emërimi i tyre si ushtrues detyre mbetet i lidhur me procesin e ristrukturimit i cili ka filluar që nga viti 2018 në Tekelom dhe ende nuk ka përfunduar.

    “Përndryshe, nga emrat që i përmendët, dy zyrtarë të lartë emërohen nga Bordi i Drejtorëve, ndërsa të tjerët nga Kryeshefi Ekzekutiv. Emërimi i tyre, si ushtrues detyre ishte dhe mbetet i lidhur me procesin e ristrukturimit, i cili është në përfundim e sipër dhe i cili do të sjellë strukturën e re organizative dhe përshkrimin e vendeve të punës, gradat, rregulloret e edituara etj, pra gjithçka që duhet të dihet për secilin vend pune para se të shpallet konkursi publik, përfshi këtu edhe atë se çfarë mund të pres një kandidat i suksesshëm nga TK”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

    Për shkak të kësaj, nga zyra për media thotë se nuk ka qenë e arsyeshme sipas Bordit të Drejtorëve dhe sipas Departamentit Ligjit që të largohen këta persosna që po punojnë jashtëligjshëm e të hapin konkurs të ri për 14 drejtor.

    “Nuk ka qenë e arsyeshme, sipas  këndvështrimit të Bordit të Drejtorëve dhe sipas Departamentit Ligjor, që të shkohet me hapjen e konkurseve për 14 drejtor të drejtorive kur ende nuk ka qenë e përcaktuar se cili do të jetë numri i departamenteve me strukturën e re, për të cilën si e dini tashmë komisionet tona janë duke punuar me muaj”. 

    “Tashmë e dimë se numri i departamenteve do të jetë gjithsejtë 4 dhe shumë shpejtë do të dihen edhe kushtet që duhet t’i plotësojë një kandidat serioz për këto pozita”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

    Procesi i “ristrukturimit te pozita” në këtë ndërmarrje publike kishte nisur që nga viti 2018.

    Atë kohë Bordi i Drejtorëve, kishte marrë vendim për fillimin e procesit të ristrukturimit të kompanisë dhe kishte urdhëruar një aktivitet prokurimi ( në vlerë 500.000 euro), përmes të cilit synohej që të përzgjidhej një kompani e jashtme të kryente këtë proces.

    Ky proces prokurimi në fund të nëntorit 2018 anulohet, ndërkohë që mbetet në fuqi vendimi për ristrukturimin.

    Në Telekom thonë se lidhur me këtë vendim nuk ishte bërë diçka konkrete deri në qershor të vitit 2020, kur kemi vendimmarrje të re, nga Bordi i Drejtorëve, për të vazhduar procesin.

    “Pas kësaj formohet zyrtarisht komisioni për Ristrukturim, brenda kompanisë, me synim që me forca tona dhe pa shpenzime enorme të kryhej ky proces. Komisioni, me një përfshirje të gjerë të profesionistëve kreu një punë voluminoze duke përfunduar strukturën e re, të cilën Bordi i Drejtorëve e aprovoi me 2 dhjetor 2021”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

    Paralelisht me këtë ishte emëruar edhe një “Komision për Përshkrimin, Vlerësimin dhe Gradimin e Vendeve të Punës”, i cili llogaritet të përfundojë punën këtë muaj.

    “Në përgjithësi procesi pritet të përmbyllet në qershor të vitit 2022“, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark