
Duke sqaruar arsyen e mos takimit me familjen Jashari, kryeministri Isa Mustafa ka treguar një fakt tjetër të cilin lidhet me familjen heroike.
Teksa ka thënë se nuk e ka parë të nevojshme që sot pas homazheve që i bëri kompleksit memorial ne Prekaz të shkoj për vizitë tek Kulla e Jasharajve, Mustafa ka treguar sesi është takuar me Rifat Jasharin në Gjermani, më saktësisht në Munih.
“Sa i përket familjes unë vetëm kisha me ju përkujtu se 3 ditë apo 4 ditë pas ngjarjes unë e kam vizituar bacën Rifat në Munih, dhe atëherë ai ka thënë se nuk ka nevojë të hapet e pame për Familjen Jashari, sepse e gjithë Kosova është në luftë dhe se nuk po vdesin vetëm bijtë e Familjes Jashari, por po vdesin bijtë e Kosovës, dhe ka thënë se ai e ndjen vetën keq që nuk ka qëlluar atëherë të vdes dhe të luftoj me gjithë të tjerët”, ka thënë kryeministri për Klan Kosovën.
Sipas Mustafës, Rifat Jashari, i ka thënë atij se nuk ka “asnjë arsye të mërzitet dhe të hidhërohet për vdekjen e familjarëve të tij, sepse ata e dinë pse kanë vdekur dhe si kanë vdekur”.
“Por (Rifat Jashari) ka thënë se mërzitet që kanë mbetur atëherë kufomat jashtë dhe nuk po mund t’i varros. Dhe unë edhe sot në qoftë se shkoj në familje e di përgjigjen e Rifatit. Dhe do të shfrytëzoj rastin që në një atmosferë krejt tjetër të shkoj të bisedoj me ta, por të bisedoj për temat e ndërtimit të kësaj shoqërie, për temat e Kosovës, ndërkaq për trimërinë e tyre kanë folur ata që e kanë dhënë jetën”, ka përfunduar ai.