Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke folur për investimet e huaja gjatë vitit 2015 në Kosovë tha se rritja e investimeve është dy herë më e madhe sesa një vit më pare.
Mustafa gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik tregoi se kompanitë e huaja në vendin tonë derdhën kapitalin në vlerën e 324 milionë euro.
“Vitin e kaluar kemi arritur të absorbojmë rreth 324 milionë euro investime të huaja direkte, që është një rritje dy herë më e madhe sesa një vit më parë. Po ashtu kemi një rritje edhe të kompanive me pronarë investitorë të jashtëm”, ka thënë kryeministri Mustafa shkruan Zëri.
I pari i qeverisë tregoi se statistikat tregojnë se edhe në periudhën janar-qershor të këtij viti ka pasur rritje prej 36 për qind të kompanive me pronarë të huaj.
“Veçmas na gëzon neve fakti se kemi një shtim prej 31 për qind të bizneseve, ku pronarët janë gratë, që është një faktor tepër i rëndësishëm i politikave dhe i synimeve tona ekonomike në mënyrë që të kemi një numër më të shtuar të grave në menaxhimin e bizneseve dhe në jetën ekonomike”, ka thënë ai. /Insajderi.com