Kryeministri Isa Mustafa ka thënë të dielën se në vitin e parë të qeverisjes së tij kanë arritur që të shënojnë “normë reale të rritjes ekonomike prej 4 për qind.”
Sipas tij, këto të dhëna mund të ndryshojnë, por “e rëndësishme është se kemi tejkaluar mesataren e shumë viteve që sillej prej rreth 3 për qind.”
Ai rritjen ekonomike ia atribuon investimeve private.
“Edhe pse Kosova ka nevojë për rritje më të lartë, duhet të vlerësojmë si zhvillim tejet pozitiv se rritja ekonomike prej 4% në vitin 2015 është e gjeneruar nga investimet private, sidomos të nxitura edhe nga investimet e huaja direkte. Kur rritja ekonomike shkaktohet nga investimet private, sigurohet qëndrueshmëri në rritje edhe për vitet e ardhshme”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.
“Të dhënat aktuale, tregojnë se viti 2016 ka filluar më mirë se viti 2015. Rrjedhimisht është e arsyeshme të presim që rritja ekonomike për vitin 2016 të jetë më e lartë. Këtë vlerësim e shohim nga bizneset që i vizitojmë çdo ditë, e shohim nga ekspertët vendor dhe nga organizata ndërkombëtare”.
Kryeministri Mustafa është zotuar gjatë fushatës elektorale se prioritet i qeverisjes së tij do të jetë ekonomie. Ai ka premtuar se do të punësohen rreth 120 mijë qytetarë brenda mandatit të tij, por deri më tani, sipas shifrave zyrtare, janë punësuar rreth 8 mijë persona./Insajderi.com