Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se Kosova ka qenë historikisht rajon i diversitetit etnik, i diversitetit fetar dhe shoqëror dhe se Kosova është një shtet i ri, por me një kulturë të vjetër.
“Ne ekzistojmë tash e 8 vjet si Republikë parlamentare, por para më se 2 mijë vjetësh mu këndej është shpërndarë krishterimi. Këtu ndodhi edhe ndarja e dy kishave, lindore ortodokse dhe asaj perëndimore katolike.
Këtu është shpërndarë islami para mbi 600 vjetësh, fillimisht nëpërmjet mistikëve sufi, e më vonë edhe nëpërmjet Perandorisë Osmane që sundoi gjatë në këto treva. Këtu ne kemi po ashtu bashkësi të vogla si protestantë, hebrenjë, bektashinjë dhe tarikate tjera. Prandaj të gjithë e përbëjnë një mozaik të pasur të besimeve dhe mozaik etnik në Kosovë”, tha kryeministri.
Duke folur për fokusimin e konferencës ndërfetare në këto begati shumë të rëndësishme për Kosovën, kryeministri tha se duhet të punohet shumë në mënyrë që të ruhet kjo pasuri.
“Kosova gjatë mandatit tim është bërë anëtare e rëndësishme e aleancës kundër ISIS-it. Ne kemi pasur në fund të vitit të kaluar Sekretarin John Kerry dhe ai ka deklaruar publikisht se Kosova është lidere e rajonit në luftë kundër ekstremizmit”, deklaroi Mustafa.
Mustafa po ashtu foli edhe për emancipimin dhe rolin e gruas në shoqërinë kosovare. /Insajderi.com