Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe nënkryetarin e parë, Ardian Gjini.
Në komunikatë thuhet se mes Kurtit e Haradinaj u diskutua për procesin e dialogut, modelet dhe opsionet për elementet kryesore të marrëveshjes.
“Në këtë takim përmbajtësor në të cilin Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendës-kryeministri i parë, Besnik Bislimi, u diskutua për procesin e dialogut, idetë, modelet dhe opsionet për elementet kryesore të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat po qarkullojnë nga e nëpër kancelaritë perëndimore e demokratike, e që në këtë periudhë funksionojnë si sprova dhe testime”, thuhet në komunikatë.
Ndër të tjera, aty thuhet se Kurti e ka njoftuar Haradinajn për takimet në Bruksel dhe në Prishtinë.
Kryeministri Kurti e njoftoi kryetarin e AAK-së, z.Haradinaj për takimet në Bruksel dhe Prishtinë, konstruktivitetin dhe kreativitetin e Kosovës përgjatë gjithë procesit të bisedimeve, i cili duhet përmbyllur me normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër.