×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    “Kryenin ushtrime që dy vite”, nxitjet e Vuçiqit për luftë në Kosovë- detaje tronditëse nga raporti i shtetit për sulmin në Banjskë

    Insajderi
    25 October 2023 - 15:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës ka lëshuar një raport preliminar për sulmin terrorist të 24 shtatorit të këtij viti në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Në këtë raport, të siguruar nga Gazeta Insajderi, tregohen gjerësisht detaje për stërvitje nga grupe të ndryshme paramilitare serbe tash e dy vite për një përgatitje për sulm. Në raport, pjesë e grupeve paramilitare serbe përmenden dy grupet e shpallura terroriste nga Qeveri e Kosovës – “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”. Po ashtu, në raport përmenden edhe përpjekje sistematike për nxitje të luftës nga lideri serb, Aleksandër Vuçiq.

    Besnik Gashi

    Në raportin preliminar të MPJD-së, të siguruar ekskluzivisht nga Gazeta Insajderi, të ndarë në shtatë seksione, përshkruhet faza përgatitore e sulmit terrorist në Banjskë. Në fazën përgatitore, theksohet se grupet e shpallura terroriste “Mbrojtja e Civile” dhe “Brigada e Veriut” nga Qeveria e Kosovës, kryen stërvitje ushtarake për të sulmuar Kosovën.

    “Gjatë një periudhe prej dy vitesh, në dhjetëra seanca të ndryshme stërvitore, anëtarët e grupit paramilitar serb, përfshirë anëtarët e grupeve të etiketuara terroriste “Mbrojtja Civile (Civilna Zaštita)” dhe “Brigada e Veriut (Severna Brigada)” kryen stërvitje ushtarake për t’u përgatitur për të sulmuar Kosovën”, thuhet në raport preliminar.

    Sipas raportit, “një pjesë e madhe e tyre, gjithsej mbi 150 pjesëtarë, u përzgjodhën për stërvitje intensive ushtarake nga instruktorë ushtarakë të Forcave të Armatosura Serbe, duke përfshirë Xhandarmërinë dhe Njësinë Speciale të policisë ushtarake “Cobra”, e cila është në dirigjim të drejtpërdrejtë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. të Forcave të Ushtrisë Serbe (SAF)”.

    Siç vijon raporti, ushtrimet u zhvilluan edhe në Qendrën Trajnuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë “Mitrovo Polje” të Serbisë në Vrnjaçka Banja dhe Kopaonik në malet në afërsi të Kosovës.

    Baza ushtarake “Pasulianske livade” në Serbi ku paraushtarakët stërviteshin për përdorimin e pajisjeve ushtarake, duke përfshirë automjetet ushtarake HUMVEE. (Foto e marrë nga droni i sekuestruar nga terroristët)

    “Në video-regjistrimin e sekuestruar, automjetet ushtarake amerikane HUMVEE shihen duke u keqpërdorur si pjesë e trajnimit/simulimit të sulmit. Vetëm në korrik të 2023-ës, rreth 66 automjete HUMVEE u dorëzuan në Serbi nga Shtetet e Bashkuara”, vijon MPJD-ja.

    Pas sulmit të 24 shtatorit, Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se kërkoi një hetim të plotë pasi
    tha se SHBA e merr shumë seriozisht çdo pretendim për përfshirje të pajisjeve të furnizuara nga SHBA në
    aktivitete të tilla terroriste.

    Këto dy foto tregojnë stërvitjen ushtarake nga paraushtarakët më 20 shtator 2023 në orën 05:16, paradite në bazën ushtarake “Pasuljanske Livade” në Serbi.

    Në një nga përfundimet e këtij raporti përfundimtar, thuhet se për të forcuar përgatitjet për luftë, Vuçiq po organizon murale dhe grafite të mëdha nëpër Serbi, duke promovuar sloganin nacionalist “Kur ushtria jonë të kthehet në Kosovë”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark