×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Kryeprokuror, nuk të kemi njohur për kaq frikacak

    Insajderi
    31 January 2017 - 11:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Aleksandër Lumezi është mbase zyrtari i vetëm që në formularin e deklarimit të pasurisë ka futur pesë piktura. Vlerën e tyre monetare për këtë pasuri artistike e ka llogaritur 15 mijë euro.

    Këtë e ka bërë vit pas viti në çdo deklarim të pasurisë. Ky fakt nga shumëkush është parë si një vlerë që pasuria shpirtërore dhe artistike për Lumezin ka peshë po aq të madhe sa pasuria materiale, mbase edhe më të madhe.

    Imazhin e një njeriu që kujdeset për pasurinë shpirtërore e artistike e ka ndërtuar Lumezi në publik. Me këtë imazh i kishte hyrë edhe një gare të vështirë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Lufta për pushtet jo gjithmonë është e pastër. Një ndër më të fëlliqurat ka qenë ajo për pozitën që e mbanë Lumezi, tash e dy vjet.

    Kandidatë të deleguar nga politika dhe grupet e interesit ishin të përfshirë në garë së bashku me kandidatë që kishin ambicie për ngritje në karrierë dhe punë të ndershme.

    Mes tyre ishte Aleksandër Lumezi – kandidati më potencial.

    Nga grupet e lidhura me politikën dhe krimin, Lumezi shihej si pengesë për arritjen e qëllimeve të tyre. Si rrjedhojë, atij i ishte shpallur luftë. Përballë kishte Ismet Kabashin – ish-kryeprokuror, Enver Hasanin – ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Laura Pulën – prokurore e Shtetit, Sylë Hoxhën – ushtrues detyre i kryeprokurorit të Shtetit, Imer Bekën – kryeprokuror i Prishtinës etj.

    Këta përbënin një rrjet të fuqishëm që me çdo kusht dëshironte që në krye të Prokurorisë së Shtetit të mos vinte Aleksandër Lumezi.

    Në këtë lojë arritën që njëherë ta rrëzonin procesin e zgjedhjes nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht, në mënyrë të paligjshme, sepse ankesat e kundërkandidatëve nuk ishin shqyrtuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe, rrjedhimisht, nuk ishin shterur të gjitha mjetet e rregullta juridike.

    Por, Enver Hasani me Gjykatën Kushtetuese ndërhynë dhe e kthyen procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit në pikën zero.

    Gara kishte filluar të bëhej edhe më e ashpër. Kandidatët për kryeprokuror kishin filluar t’i bënin favore njëri-tjetrit. Në lojë ishte futur lirimi nga burgu i vëllait të Sylë Hoxhës, Elez Hoxha i dënuar për marrje ryshfeti dhe shpërdorim të pozitës zyrtare.

    Laura Pula kishte marrë përsipër barrën e lirimit të tij nga burgu me arsyetimin se kishte tension të lartë dhe për pasojë mund t’i keqësohej gjendja shëndetësore. Ajo i propozoi Gjykatës Supreme që në kushte të “jashtëzakonshme” t’ia ndërpriste vuajtjen e dënimit ish-gjyqtarit të korruptuar.

    Në këtë mënyrë, vota e Sylë Hoxhës si anëtar i Këshillit Prokurorial, do të shkonte për Laura Pulën e cila do ta zinte pozitën e Kryeprokurores së Shtetit.

    Ky plan favorizues dhe i korruptuar dështoi, pasi Gjykata Supreme refuzoi një gjë të tillë.

    Në horizont kishin mbetur opsione tjera. Mes tyre, presioni mbi ish-presidenten Atifete Jahjaga që të mos bënte dekretimin e kryeprokurorit, ani se ishte rizgjedhur Aleksandër Lumezi në një garë të dytë.

    Një letër dërguar në Presidencë nga një prokuror i EULEX-it me të cilën kërkonte që Lumezi të mos dekretohej për kryeprokuror kinse ishte i përfshirë në një vrasje dhe krim të organizuar, u zbulua se burim kishte Nazmi Mustafin, ish-shef i Task-Forcës Kundër Korrupsionit, i dënuar për korrupsion.

    Mustafi, kishte motiv ta akuzonte Lumezin, sepse ishte dënuar për ryshfet. Mes dëshmitarëve kundër tij, ishte Albert Lumezi – vëllai i kryeprokurorit të Shtetit. Mustafi e kishte futur në hetim Lumezin pa kurrfarë baze, ndërkohë që ia dërgonte sekseren Mirela Ndoci, e cila i kërkonte para në këmbim të mbylljes së hetimeve. Albert Lumezi e raportoi rastin dhe si pasojë edhe të dëshmive tjera, u arrestua, gjykua dhe u dënua, Nazmi Mustafi.

    As kjo përpjekje nuk ndikoi që Lumezi të bëhej kryeprokuror. Ardhja e tij në krye të Prokurorisë së Shtetit ishte shpresëdhënëse se nuk do të ishte (që në fakt nuk është si personalitet) si Ismet Kabashi, Sylë Hoxha apo Laura Pula.

    Nëse për kurrgjë tjetër, Lumezi ishte një imazh i mirë i Prokurorisë. Një kryeprokuror pedant që nuk i pëlqen darkat me mish qengji e pula në hell, siç i pëlqen njëri prej kandidatëve për kryeprokuror të Shtetit.

    Por, çka bëri Aleksandër Lumezi gjatë kësaj kohe si kryeprokuror?

    Pos orvatjeve për të afruar rreth vetes njerëz që do të punonin për luftimin e krimit, asgjë më shumë. Krimi është në të njëjtin nivel. Pandëshkueshmëria është kthyer në normë shoqërore e juridike. Rrjedhimisht, Lumezi qëndron në krye të një Prokurorie të ndikuar politikisht dhe nga grupet e interesit – përfshirë ato kriminale.

    Kryeprokurori i ri tashmë ka filluar të bëhet si Imer Beka, Sylë Hoxha, Laura Pula, Enver Hasani. Pos që po i rehabiliton në pozita, po u ndan edhe mirënjohje për punën.

    Mirënjohje për kontribut i dha Imer Bekës – kryeprokuror i Prishtinës, i cili edhe publikisht është vënë në mbrojtje të politikanëve të dyshuar për korrupsion. Këtë e bëri në një konferencë të Prokurorisë të shtunën në Prishtinë.

    E vlerësoi për punën e bërë të njëjtin kryeprokurori që doli në emisionin “Komiteti” dhe e mbrojti Adem Grabovcin. Sulmoi Prokurorinë se pse ka hapur hetime kundër tij pas publikimit të përgjimeve nga Insajderi. Gjykoi se Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi gabimisht kur nuk e ndali Insajderin që të vazhdonte me publikimin e përgjimeve.

    Në vend që të hetohej nga Zyra e Prokurorit Disiplinor për ndërhyrje në hetime dhe në pavarësinë e gjyqësorit, Imer Beka u rizgjodh edhe për një mandat si kryeprokuror i Prishtinës. Mori edhe mirënjohje.

    Pa mirënjohje nuk e la as Haxhi Dërgutin – mikun e afërm të Hajredin Kuçit dhe zvarritësin e Adem Grabovcit. Sigurisht që Dërguti nuk është i përmasave të Imer Bekës. Ama, ai kishte kërkuar ditë të tëra një takim me Adem Grabovcin nëpërmjet sejmenëve.

    Mirënjohje për kontribut Lumezi i ndau edhe Sylë Hoxhës – një prokurori të dyshuar për lidhje me grupe kriminale në Prizren, përfshirë valltaren “Kallashi”. E nderoi prokurorin që nëpërmjet pushtetit dhe lidhjeve favorizuese u përpoq ta lironte nga burgu  vëllanë e dënuar për korrupsion.

    Sikur të mos i mjaftonte kjo mirënjohje dhe ky rehabilitim, Lumezi po kujdeset që Sylë Hoxhën ta delegojë si prokuror në Prokurorinë Speciale të Kosovës, e cila ka në barrë luftimin e krimeve më të rënda.

    Çfarë ndodhi me Lumezin? Mos e frikësuan kur i hynë hajnat në shtëpi në kohën që ruhej nga policia? A ka ndonjë dallim tash Lumezi nga Sylë Hoxha, Laura Pula, Imer Beka, Ismet Kabashi e Enver Hasani?

    Askush nuk e ka njohur për të tillë Aleksandër Lumezin. Kaq frikacak sa t’u nënshtrohet njerëzve që, po të kishin mundësi, do ta çonin në burg.

    Sikur ta njihnin për të tillë ata që e luftuan për ta penguar që të bëhej kryeprokuror i Shtetit, mbase do ta përkrahnin. Sepse nuk po dallon prej tyre.

    Fakti që nderon me mirënjohje njerëz të tillë, e bënë atë të ngjashëm me ta. Lumezit i ka mbetur ta nderojë vetëm edhe Nazmi Mustafin. Ndoshta edhe ta rikthejë në Prokurorinë Speciale.

    Me këto veprime, Lumezit i kanë mbetur me vlerë vetëm pesë pikturat që i deklaron vazhdimisht si pasuri në Agjencinë Kundër Korrupsion.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark