Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, bashkë me zëvendës kryeprokuroren dhe koordinatoren për veprat penale ku të dëmtuar janë gazetarët, prokuroren e shtetit Sadije Muriqi, kanë zhvilluar takim me përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe gazetarë të mediave nacionale e lokale.
Gjatë takimit, kryeprokurorja Vuçetaj theksoi se siguria e gazetarëve në rajonin e Pejës është prioritet për prokurorinë.
Ajo ka inkurajuar ata që në çdo rast të kanosjeje apo rreziku gjatë ushtrimit të detyrës profesionale të kontaktojnë menjëherë me Prokurorinë Themelore të Pejës.
“Së pari do të sigurohet mbrojtja e gazetarëve dhe më pas do të ndërmerren veprimet ligjore ndaj kryerësve të veprave penale”, tha Vuçetaj.
Në këtë takim u prezantuan edhe rastet ku të dëmtuar janë gazetarët, të evidentuara gjatë periudhës 2024–2025 (deri në tetor). Sipas prokurorisë, të gjitha lëndët janë trajtuar në afat optimal dhe me prioritet të lartë profesional.
Po ashtu, u diskutua për nivelin e bashkëpunimit ndërmjet mediave dhe Prokurorisë Themelore të Pejës, bashkëpunim që u vlerësua shumë pozitivisht nga të pranishmit.
Në fund të takimit, palët nxorën konkluzione që synojnë forcimin e mekanizmave të mbrojtjes për gazetarët në rastet kur ata mund të jenë subjekt i kërcënimeve apo sulmeve gjatë raportimeve të tyre.