×
  • Lajme
  • Analiza

    Kryetarët e komunave dalin kundër buxhetit të qeverisë së Albin Kurtit

    Insajderi
    24 November 2022 - 20:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetarët e komunave kanë dalë kundër buxhetit 3.2 miliardësh të Qeverisë së Albin Kurtit. Një pasues të Projektligjit ata e konsiderojnë antikushtetues.

    Gazeta Insajderi

    Më 17 nëntor, kryeministri i vendit, Albin Kurti, njoftoi se ka kaluar në parim buxheti prej 3.2 miliardësh për vitin 2023.

    Ai i falënderoi 64 deputetët që e votuan në lexim të parë Projektligjin për Buxhetin e vitit të ardhshëm, që sipas tij reflekton prioritetet e programit të Qeverisë.

    “Më shumë për shëndetësinë me më shumë profesionistë shëndetësorë dhe më shumë buxhet për barna esenciale. Më shumë për bujqësinë. Më shumë për kulturën, rininë dhe sportin dhe më shumë për arsimin. Më shumë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve përmes më shumë çerdheve dhe më shumë edukatorë e staf për çerdhe. Më shumë për fëmijët nëpërmjet shtesave për ta dhe më shumë asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuar. Më shumë për mbrojtjen dhe sigurinë sepse më shumë për ushtrinë dhe policinë. Më shumë inspektorë. Më shumë rezerva shtetërore. Më shumë për ndërmarrjet publike. Më shumë terminale doganore shtetërore. Më shumë për komunat”, tha Albin Kurti në shkrimin e tij në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.

    E pikërisht komunat kanë dalë kundër buxhetit të qeverisë së Albin Kurtit për shkak të “hyrave vetanake”.

    “Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”, thuhet tek Neni 9 i Ligjit të Buxhetit 2023.

    Kjo ka shqetësuar kryetarët, të cilët thonë se më këtë po tentohet që Komunave të ju merren të hyrat vetanake të pa shpenzuara”.

    Kryetari i Prishtinës ka thënë se të hyrat vetanake të Prishtinës, i takojnë vetëm Prishtinës.

    “Miratimi i Projektligjit për Buxhetin e vitit 2023 në këtë formë do të paraqesë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Neni 124, pika 5 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës specifikon se “Komunat kanë të drejtë të vendosin, të caktojnë, të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyrat e veta si dhe të marrin fonde nga Qeveria qendrore, në pajtim me ligjin””, tha ai në Facebook, shkruan Gazeta Insajderi.

    Rama i LDK-së ka njoftuar se janë rreth 38 milion euro të hyra vetanake të mbledhura nga qytetarët e Prishtinës, të cilat “nuk mund të tjetërsohen për t’ia shpërndarë institucioneve dhe komunave tjera”.

    Njëjtë si Rama mendon edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

    “Në tërësi pajtohem me Kryetarin e Prishtinës, z. Rama”, tha Totaj për Gazetën Insajderi, i cili konsideron poashtu që Paragrafi 6, i Nenit 9 është antikushtetues.

    “Buxhet i pabalancuar mirë, i orientuar me kritere jo profesionale që diskriminon komuna ku kryetarët janë nga partitë tjera, cilat do qofshin ato”, tha tutje ai.

    Edhe bashkëpartiaku i Totajt nga Ferizaj, Agim Aliu, nuk pajtohet me buxhetin e votuar në parim nga Kuvendi i Kosovës.

    Ai mendon se pasuesi, “të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin banker”, duhet të hiqet pasi kjo cenon pavarësinë financiare të Komunave.

    Sikur Aliu, deklaron edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

    “Në emër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Bordi kërkon që të hiqet ky pasus, sepse është në kundërshtim edhe me Ligjin e Financave të Pushteti lokal dhe Ligjin e Financave Publike. Komunat e Kosovës, pavarësinë financiare e kanë të rregulluar dhe kërkojmë që mos të ketë ndërhyrje nga niveli qendror”, thuhet në njoftimin e tyre, shkruan Gazeta Insajderi.

    Mbi këtë çështje, Gazeta Insajderi ju ka shkruar qysh dje edhe kryetyarëve të komunave që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje, por nuk kanë kthyer përgjigje./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark