Kryetari i Degës së katërt të LDK-së në Prishtinë, Halim Muçolli është distancuar nga komunikata e lëshuar nga kolegjiumi i pesë degëve në Prishtinë, të cilat kërkojnë dënimin e gazetarit Vehbi Kajtazi.
Muçolli ka gjykuar gjuhën e përdorur në këtë komunikatë dhe është distancuar prej saj. Ka thënë se nuk ka dorë në këtë komunikatë.
“Në mediat tona po qarkullon një kumtesë e lëshuar në emër të Kolegjiumit të Degëve të Prishtinës, pjesë e të cilit jam edhe unë. Subjekt i kumtesës është tema e ngritur nga gazetari Vehbi Kajtazi. Kam pranuar shumë telefonata e mesazhe nga miq e kolegë, që shprehin habinë dhe irritimin e tyre rreth gjuhës së përdorur. Çështjen e nivelit të komunikimit me opinionin dhe nivelin gjuhësor si pjesë e tij, e kam bërë temë të paktën në dy raste, në forumet ku marr pjesë”, ka deklaruar Muçolli.
“Ndaj, unë nuk mund të kem dorë në një kreaturë të tillë gjuhësore. Unë, në asnjë rrethanë nuk do të kërkoja të merren masa ndaj gazetarëve pos kërkesës që çështjet familjare e shëndetësore të trajtohen me kujdes e profesionalizëm”, ka thënë Muçolli.
Këtë reagim ai e ka bërë një ditë pasi kolegji i pesë degëve të LDK-së në Prishtinë, që drejtohet nga Ismet Beqiri që është sekretar i përgjithshëm i LDK-së, dhe shef i Grupit Parlamentar të kësaj partie, kanë kërkuar dënimin e gazetarit Kajtazi, për shkak se siç pretendohet shantazhin kundër kryeministrit, Isa Mustafa dhe dëmit që ia ka bërë vendin në arenën ndërkombëtare.
“Njëherit, ky Kolegjium fton organet përgjegjëse të marrin masa adekuate në përputhje me ligjin ndaj këtyre dukurive dhe shkelësve të ligjit, të cilat me këto akte jo ligjore janë duke i bërë dëme jo vetëm kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, por gjithë Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Këto pesë degë të LDK-së e kanë quajtur gazetarin Kajtazi edhe shantazhues.
“Shantazhin e fundit, të cilën i bëri gazetari Vehbi Kajtazi, flet më së miri se puna dhe angazhimi në krye të qeverisë me kryeministrin Mustafa, është duke i penguar dikujt, andaj qarqet të cilat nuk ia donë te mirën Kosovës dhe zhvillimit te saj, porositin shantazher si ky tani Vehbi Kajtazi, për të degraduar personalitetin e Kryeministrit, si dhe lidershipin e Kosovës, duke u munduar t’i jepet hije të keqe shtetit të Kosovës, si brenda e po ashtu edhe në nivelin ndërkombëtar”, shkruan në reagimin e degëve të LDK-së.