×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kryetari i Këshillit të Prindërve në Gjilan kërcënon asamblisten e LDK-së dhe akuzon nxënësit

    Insajderi
    27 February 2024 - 23:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari problematik i Këshillit të Prindërve në Gjilan, Gazmend Behluli, ka kërcënuar asamblisten e LDK-së në këtë komunë, Aferdita Balajn. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Insajderin vetë Balaj. Behluli ka akuzuar më herët nga pozita që ka nxënësit për dhunim dhe shitje të lëndëve narkotike.

    Balaj në prononcim për Insajderin ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur përmes një telefonate që ia ka bërë Behluli, me fjalët  “duhet me pasë kujdes ti tash e mbas qysh del në qytet”.

    “Kjo ka ndodh para një muaji e gjysmë. Unë kam folë diçka për disa parregullsi për shkollën ekonomike, ku gruaja e tij është drejtoreshë, unë s’e kam ditë. Por, as s’kam përmend emër as kurrgjë. Qysh u shku ky është përzi tek drutë dhe i ka bërë matjet, unë se kam ditë që ky është kryetari i Këshillit të Prindërve. Ky më ka thirrë në telefon në prani të burrit dhe e kam pasur telefonin me zë, më ka thanë duhet me pasë kujdes ti tash e mbas qysh del në qytet. Ja kam falë, më ka çu njerëz duke më thënë se nëse shkon në polici, do të jesh e dëbume prej punës. Ka intervenu për me ja falë. Unë kam thënë se ja fali veç me një fakt: Me dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit”, ka thënë asamblistja në një prononcim për Insajderin.

    Në një postim në ‘Facebook’, Behluli me profilin e Këshillit të Prindërve në Gjilan ka njoftuar për anulimin e ekskurzionit duke thënë se “është anuluar për shkaqe sigurie”. Aty janë akuzuar nxënësit për shitje narkotikësh, rrahje e dhunë.

    “…Ekskurzioni është anuluar për shkaqe sigurie ku të gjithë ne jemi të informuar për dukurit negative që kanë ndodhur në Shqipëri, jeta e humbur e nxësit,përfitime,ngacmime,tentim dhunime,rrahje,shitja e narkotikëve para hoteleve pirja e alkoholit pa asnjë kontroll etj.”, thuhet ndër të tjera në postim.

    Balaj tutje për Insajderin ka thënë se është detyruar të dalë publikisht përmes ‘Facebook’-ut të saj të njoftojë për kërcënimin dhe shantazhin që iu është bërë.

    “Si ka mundësi që prindërit të i përfaqësoj një kërcnues?! Maturant të nderuar dhe qytetarë të Gjilanit, kryetari i këshillit të prindërve është shantazhuesi i një asambleisteje të zgjedhur nga populli!!”, ka shkruar ajo në ‘Facebook’-un e saj.

    Kujtojmë se kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë vendim për anulimin e organizimit të ekskurzionit. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark