Kryetari i provincës Salta, një nga qytetet kryesore të Argjentinës, Gustavo Saenz ka zgjedhur Kosovën për ta përdorur si objekt talljeje kur ka vendosur që të flas për gjendjen e keqe të infrastrukturës në qytetin të cilin e drejton që nga vitit Dhjetori i vitit 2015.
“E di që rrugët në qytetin tonë duken sikur ato të Kosovës. Dhe që ka shumë probleme absurde që ngjasojnë me absurditetin e qeverisjes në Kosovë, por për dallim prej atij vendi, ne jemi duke punuar më shumë”, ka thënë Saenz, gjatë intervistës në një televizion lokal.
Ai nuk e ka shpjeguar se nga e njeh Kosovën aq mirë, sa për ta krahasuar me qytetin që ai e drejton, por vetëm ka thënë se “për Kosovën të gjithë flasin, kur vjen puna për të krahasuar anarkinë në funksionimin e një qyteti a shteti”.
I pyetur nga gazetari se çfarë po bënë ai si kryetar për ta ndryshuar gjendjen në qytetin e Saltas, Saenz, është përgjigjur me sinqeritet.
“E di që infrastruktura është një fatkeqësi dhe unë nuk mund ta mohoj këtë. Por unë nuk jam magjistar që ta rregullojmë këtë gjendje brenda 3 muajve”, ka thënë Saenz.
Gustavo Saenz është një nga politikanët më të njohur në Argjentinë, i cili ka qenë edhe i nominuar për zëvendës president të Argjentinës. Është i njohur edhe si një prej avokatëve më të zot në Argjentinë, por nuk është se ka ndonjë lidhje publike me Kosovën.
Nuk dihet as se nga ka marrë informacionet për gjendjen e infrastrukturës në Kosovë por ky prononcim i tij tashmë ka bërë bujë në mediat në Argjentinë.