Kryetari i Pejës nuk e di prejardhjen e parave që u ndërtua xhamia e Vitomiricës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryetari i Pejës nuk e di prejardhjen e parave që u ndërtua xhamia e Vitomiricës

    Insajderi
    19 July 2016 - 23:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dhjetëra, mbase edhe qindra milionë euro janë dhënë për Kosovën nga organizatat e ndryshme. Por njëri prej shqetësimeve kryesore që prej 17 vjetësh për Kosovën vazhdon të jetë prejardhja e parave dhe kontrolli efikas i shtetit ndaj këtyre donacioneve, kryesisht me mision humanitar që vijnë nga shtetet e Lindjes se Mesme.

    Gjate një hulumtimi disajavor, është marrë asnjë përgjigje për burimin e parave që janë dhënë për ndërtimin e një xhamie në komunën e Pejës.

    Prejardhja e parave për ndërtimin e xhamisë në Vitomiricë të Pejës, vazhdon të mbetet mister.

    Ndonëse që në fillim të punimeve për këtë objekt fetar u fol shumë dhe u kundërshtua, xhamia e re në Vitomiricë të komunës së Pejës tashmë po shkon drejt finalizimit.

    Ishin banorët ata të cilët refuzuan ndërtimin e kësaj xhamie në hyrje të fshatit të tyre për shkak që, siç thonë ata, vendi ku po ndërtohet është varrezë.

    Banorët të cilët po kundërshtonin fuqishëm, u detyruan të organizojnë një peticion me mbi 500 nënshkrime, të cilat i dorëzuan në komunën e Pejës.

    Duke u bazuar në rregulloret komunale në fuqi, ligjin për pushtetin lokal, kundërshtimet e banorëve por edhe faktin që aty kishte varreza, drejtori i urbanizmit në Pejë, Sali Lajçi, nxori një vendim përmes të cilit refuzoi kërkesën e Bashkësisë Islame atje që në atë vend të ndërtohej xhamia.

    Pavarësisht që një gjë e tillë kundërshtohej nga Drejtoria e Urbanizmit në Pejë, punimet për ndërtimin e xhamisë në Vitomiricë kishin nisur, ngase i pari i kësaj komune, Gazmend Muhaxhiri, kishte ndërhyrë në këtë rast. Ai në gusht të vitit të kaluar nxori një vendim i cili ishte i kundërt me atë të Drejtorisë së Urbanizmit. Muhaxhiri aprovoi kërkesën e BIK-ut në Pejë që xhamia të ndërtohej.

    Ndonëse i kishte dhënë leje ndërtimi, kryetari i Pejës thotë se nuk u interesua se kush po e ndërtonte xhaminë dhe nga kishin ardhur paratë, shkruan RTK.

    Por, pyetjes sonë se pse Muhaxhiri ishte në Dubai, vizitë kjo e cila nuk ishte paralajmëruar dhe asnjëherë nuk u raportua, ai tha se shkoi për ta njohur donatorin. Thekson më tutje që as sot nuk ia di emrin dhe nuk e di kush është.

    Por, gjatë hulumtimit, RTK ka kuptuar që donacioni në vlerë prej 500 mijë eurosh, i ishte ofruar fillimisht Bashkësisë Islame në Podujevë, por kryetari i BIK-ut atje Bekim Jashari, thotë se ndërmjetësuesi i këtij donacioni kishte vënë kushte të cilat për Jasharin ishin të papranueshme.

    RTK ka siguruar  edhe procesverbalin nga takimi që Kreu i BIK-ut në Podujevë kishte me përfaqësuesit e  Institutit Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam në Tiranë që ishin si ndërmjetësues në realizimin e këtij projekti të dyshimtë, thuhet se Jasharit i ishte ofruar e ashtuquajtura bukë e gatuar.

    Ndërmjetësuesi: Unë i kam bërë të gjitha përgatitjet, e kemi përzgjedhur firmën ndërtuese dhe lekët, pra unë kam ardhur me bukë të gatuar, ti  ose merre dhe haje këtë bukë, ose lëre.

    Kryetari i BIK-ut Podujevë: Unë këtë bukë nuk e ha dhe as nuk dua ta ha, dhe me këto fjalë e me këto imponime nuk e pranoj atë që më ofron ti.

    Në hulumtimin disajavor të RTK-së, merret vesh se donacioni për ndërtimin e kësaj xhamie kap shifrën e gjysmë milioni euro, por që prejardhje e këtyre parave nuk dihet as sot.

    As Bashkësia Islame në Pejë, e as BIK-u në Prishtinë, nuk kanë pranuar t’u përgjigjen pyetjeve të RTK-së, se kush është donatori, nga kanë ardhur paratë për ndërtimin e kësaj xhamie, dhe në çfarë llogarie bankare janë derdhur ato para.

    Nëpërmjet telefonit, kryetari i BIK-ut në Pejë, Musli Arifaj, thotë se nuk ka obligim t’ua sqarojë mediave këtë punë. Të njëjtën gjë e ka deklaruar edhe zëdhënësi i BIK-ut në Prishtinë Ahmet Sadriu, si dhe myftiu Naim Tërnava, madje ky i fundit topin e ka hedhur te Bashkësia Islame në Pejë, duke thënë se ata duhet të përgjigjen për këtë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark