Insajderi
Lajme

“Ku e keni UÇK-në?”, dëshmitari tregon si e rrahën serbët gjatë luftës

Insajderi
09 December 2025 - 15:54
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Ku e keni UÇK-në?”, dëshmitari tregon si e rrahën serbët gjatë luftës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të martën është dëgjuar dëshmitari Gazmend Metaj, i cili rrëfeu se si ishte ndaluar në vjeshtën e vitit 1998 nga i akuzuari Zariq ku bashkë me të ishin edhe persona të tjerë.

Dëshmitari deklaroi se atë ditë ishte nisur për të marrë drunj në mal për ngrohje.

“Ma ka ngjitë Zharko, më ka ngrehë prej traktori. Kanë pyet ‘ku e keni UÇK-në’, na ju kemi thënë nuk jemi ne, ne jemi për dru, jemi qytetarë. “Me pushkë të gjatë, me shqelma, me çizme të ushtrisë. Unë prej atij rasti, as nuk shoh, as nuk dëgjoj mirë- se në atë kohë i kam pasë 15-vjet”, deklaroi dëshmitari.

I pyetur nëse kishin uniforma ai grup i personave të cilët i kishin ndaluar në mal, Metaj e pohoi këtë, duke theksuar ata ishin të armatosur.

“Ka qenë me nëntë vetë sa i kam pa, fytyrat nuk ua kam njoftë, veç këta e kom njoftë, jam kanë i ri atëherë, adoleshent. Tre janë kanë me uniforma, të tjerët nuk kanë pasur uniforma”, tha ndër të tjera dëshmitari Metaj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark