Njëra prej themeluesve të lëvizjes së re politike në Kosovë, Alternativa, Mimoza Kusari Lila tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se këshillat organizative të kësaj force politike janë krijuar në disa komuna.
Kryetarja e komunës së Gjakovës, që ndodhet për vizitë në Shtetet e Bashkuara tha se Alternaiva është funksionale në Gjakovë dhe ka filluar përgatitjet në Ferizaj, Istog dhe komuna të tjera me synimin për t’u bërë funksionale në Prishtinë dhe gjithë vendin.
“Ajo ç’ka ne synojmë është të kemi një forcë politike e cila lidhet kryesisht në parimet e mirëfillta të qeverisjes, por gjithashtu e cila ka synim që të jetë programi forca udhëheqëse dhe jo individët, si zakonisht ka ndodhur në Kosovë këto vitet e fundit, ku çdo lëvizje në nivel nacional është lidhur me emrin apo pozicionin e një individi”, tha ajo.
Kusari-Lila ka treguar se do të garojë edhe për një mandat si kryetare e Gjakovës porse do të luftojë që të forcojë partinë Alternativa.
Kusari-Lila tha se nisma e re lindi nga nevoja për një forcë të re, në kushtet e pakënaqësisë me partitë ekzistuese.
“Flasim për një mendësi të re politike, jo domosdoshmërisht vetëm gjeneratën e re politike, domethënë ne mund të jemi në moshë të mesme me disa vite përvojë në politikë por ka edhe të tillë që kanë më tepër vite dhe që për herë të parë kyçen në politikë, apo edhe të tjerë që janë të pakënaqur me atë që kanë në kuadër të subjekteve aktuale politike”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se mendon se aktualisht ka një deficit të madh të besimit në institucione në partitë politike.
“Ne çka synojmë konkretisht është një komunikim të drejtpërdrejtë dhe një demokraci interaktive, jo demokraci të cilën partitë politike ose qeverisja siç ndodh tani, u tregon të tjerëve se çfarë duhet të bëhet ose proceset më të mëdha të vendit kanë kaluar në një mbyllje të përgjithshme. Domethënë ne jemi sistem pluralist, por jemi sistem centralist përbrenda partive politike, ose përbrenda qeverisjes”, tha ajo.
Kusari-Lila tha se ajo ka synimin të kandidojë përsëri për postin e kryetares së Komunës së Gjakovës në vitin 2017, duke punuar njëkohësisht për konsolidimin e partisë.
Gjatë vizitës në SHBA, ajo ishte në shtetin Ioëa ku mes të tjerash nënshkroi një binjakëzim mes Gjakovës dhe qytetit Fort Dodge, që do të krijojë mundësinë për lidhje ekonomike, sociale, kulturore dhe artistike mes banorëve të dy qyteteve./VoA