Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Blerim Kuçi, i cili garon me numrin 44 në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, ka vlerësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në tubimin elektoral të mbajtur në Therandë, duke thënë se qyteti tashmë ka dhënë sinjal të qartë për ndryshim.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kuçi tha se Shtëpia e Kulturës “Ukë Bytyçi” ishte e mbushur me energji, shpresë dhe vendosmëri, duke e cilësuar tubimin si më shumë se një aktivitet zgjedhor.
“Ky nuk ishte vetëm një tubim elektoral, ishte dëshmia se kur bashkohemi rreth vlerave dhe vizionit të përbashkët, asgjë nuk na ndal”, ka shkruar ai.
Kuçi ka falënderuar qytetarët e Therandës për pjesëmarrjen dhe mbështetjen, duke theksuar se mesazhi i dalë nga tubimi është se qyteti e dëshiron ndryshimin dhe fitoren.
Sipas tij, fushata sapo ka filluar dhe, së bashku me qytetarët, LDK synon ta shndërrojë programin e saj në realitet.
“Të gjithë bashkë drejt fitores për një Kosovë më të fortë”, ka përfunduar Kuçi në mesazhin e tij elektoral.