Disa qytetare në Prishtinë kanë rënë pre e një faqeje mashtruese online me emrin “Laura Jewerly”, llogaria që figuronte me emrin (lauraa_jewerly). Ditë më parë, kjo faqe kishte organizuar kinse një lojë shpërblyese kishte premtuar se 10 persona do të zgjidhen për t’ju bërë dhuratë nga një zingjir qafe. Zingjiri i personalizuar sipas faqes ka përbërje edhe të argjendit por meqë ishin përzgjedhur si ‘fituese’ do të paguanin veç nga 5 euro për transportin. Mashtrimi vazhdon tutje duke ia ndryshuar emrin llogarisë, shkruan Insajderi.
L.R së bashku edhe tri mikesha të saj ranë pre e kësaj loje të organizuar nga “Laura Jewrly”, me të pranuar porosinë u zhgënjyen me çka panë.
Zingjiri që po reklamohej nuk ishte ai i dërguar me porosi. Sapo hapën pakon panë që në vend të zingjirit të personalizuar iu kishin dërguar rruaza të thjeshta.
“Unë jam marrë vesh për zingjir të personalizuar dhe më erdhi një rruazë krejt e thjeshte mezi e ngjitur”, tha ajo për Insajderin derisa konfirmon se i shkroi faqes për ankesën e saj.
Fillimisht sipas saj ata u bënë që e kanë ngatërruar porosinë. Një porosi edhe mund të ngatërrohej por jo të gjitha. Njësojë iu kishte ndodhur edhe mikeshave të saj.
“Për 10 persona do ti dhurojmë 10 sete”, shkruante në faqe sqaron ankuesja tjetër derisa shton se meqë mikeshat e mija e morën vendosa edhe unë të ju bashka ngjitem.
“Nuk ka të bëjë me vlerën se 5 euro janë në pyetje, por është inati pse me gënjy me rënë pre, me mashtru kështu”, është shprehur tjetra.
Njëra nga ato e ka paralajmëruar faqen që do t’i padisë për mashtrim në Policinë e Kosovës. Me të pranuar këtë mesazh, fillimisht kjo faqe ua ka bërë “unsend” i ka fshirë fjalët nga Instagramit. E vetëm pastaj faqes i është ndryshuar emri.
Mashtrimi nuk mbaron me kaq. Faqja ndryshon emrin dhe vazhdon me mashtrime.
Nga “lauraa_jewerly” në “tiiranaa_jewerly”.
Faqja numëron plotë 33 mijë ndjekës, me të klikuar tek informacionet e faqes mund të shihet se 8 herë iu është ndryshuar emri.
Mashtrimi fillon me pranoni porosinë:
“Urime e dashur ju jeni njera nder 5 vajzat qe keni fituar Varsen me Emer te personalizuar
Per pages keni vetem posten varsisht se ne cilim SHTET jeni: Malzi Posta Falas Posta e Kosovës 5€ Maqedoni/Shqiperi Posta 8€
Nese deshironi te merrni dhuraten na dergoni keto te dhana 1.Emrin te cilein deshironi ta vendosni”
Më poshtë gjeni dëshmitë tjera:
Ankueset e njëjta kanë rrëfyer se porosinë e kanë bërë tek faqja “Laura Jewerly” dhe në pako të porosisë shihet emri i “Tirana Jewerly”, që dëshmon se është po i njëjtit pronar/e mashtrues.
Kjo faqe ka vazhduar me bllokimin të adresave që më parë kanë porositur tek “Laura Jewerly”.
Ndërkohë, Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë në numrin kontaktues të “Tirana Jewerly”, por numri nuk ka qenë fare në dispozicioni. Gazetarja ka kërkuar përgjigje edhe me shkrim përmes llogarisë së tyre në Instagram por as aty nuk kanë kthyer përgjigje.
Policia e Kosovës tanimë është njoftuar lidhur me rastin.
/GazetaInsajderi