Futbollistët dhe stafi i Kombëtares kanë shkuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme për tu pajisur me pasaportat diplomatike.
Të gjithë futbollistëve të kombëtares dhe stafit të saj u ishin premtuar pasaportat diplomatike pas fitores historike së tyre ndaj Rumanisë në Kampionatin Evropian.
Ndërsa, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmar Bushati u shprehu falënderime atyre për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në Francë, duke i thënë se më këtë rast “keni thyer një tabu”.
“Nuk ka fjalë që përshkruajnë krenarinë që ndjemë tek sa ju pamë në fushë. Djema, rrugëtimi juaj drejt Francës ka qenë edhe rrugëtimi i shqiptarëve. Ju arritët të bëni atë që politika e ka ende tabu, përfaqësimin e denjë të gjithë shqiptarëve”, tha Bushati.
Pas vizitës në ministrinë e Jashtme, futbollistët e kombëtares do të drejtohen drejt sheshit “Skënderbeu” në Tiranë për tu përshëndetur edhe me tifozët kuqezinj. /Insajderi.com