
Shkruan: Kenan Gashi
Bekim Brestovci, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, sot na “njoftoi” me krenari për një marrëveshje 1.5 milionëshe me kompaninë publike “Pastrimi” për punë shtesë.
A thua ky zyrtar, i njohur për sjellje arrogante dhe shkelje të legjislacionit në fushën e prokurimit, sapo e zbuloi që “Pastrimi” ekziston? Apo e kujtoi sepse punëtorët e saj i dhanë një leksion me presionin e tyre të drejtë dhe legjitim?
Për kujtesë: ligji i obligon autoritetet publike që së pari të angazhojnë kompanitë ku janë aksionare, siç është rasti i “Pastrimit”. Kjo nuk është zgjedhje. Është detyrim ligjor.
Pra, z. Brestovci nuk po bën as ndonjë nder, as ndonjë favor. Po përpiqet ta paraqesë si “marrëveshje” atë që është thjesht zbatim i vonuar dhe i detyruar i ligjit, pas presionit publik.
Në vend të konferencave boshe, më mirë të sigurojë që kjo ndërmarrje të angazhohet në tërësi, sepse kapacitetet i ka.
Boll më me shkelje, boll më me keqpërdorime!