×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Kur katandisesh të të mbrojë Agim Bahtiri

    Insajderi
    24 November 2020 - 12:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Mero Baze

    Fushata kundër Lulzim Bashës rreth rreth rolit të tij të paqartë në hetimet kundër disa figurave të krahut politik të UÇK-së, qysh në fillim po udhëhiqet nga vetë Lulzim Basha. Sot e ilustroi me fakte duke pritur në Tiranë kryetarin kontrovers të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, që ta mbrojë nga akuzat që i janë bërë.

    Shikoj dy arsye pse Lulzim Basha po e udhëheq zhurmën kundër tij për këtë histori. Së pari, se mund të mendojë që kjo zhurmë nuk e dëmton, dhe ai shtyn ca kohë që të mos u japë përgjigje halleve të tij politike në Tiranë, ose ai vërtet ka probleme me veten në këtë histori.

    Ai arriti t’i mbajë gjallë akuzat në sytë e publikut kur thotë që nuk mban mend ta ketë takuar Bellanicën, ai e bënë të besueshme kur gënjen për pozicionin e punës që ka pasur, për të na u shitur i rëndësishëm, ai e mban gjallë kur bën sikur e trajton si çështje për të cilën nuk ka interes, dhe pastaj thërret Agim Bahtirin që ta mbrojë.

    Për ata që nuk e njohin sa duhet Kosovën, ky tipi është një njeri pa ngjyrë, pa identitet politik dhe pa parime, që ka ardhur si biznesmen nga emigracioni, ka marrë Komunën e Mitrovicës si kandidat i Pacollit, pastaj është bërë me Vetëvendosjen, edhe pse është “kapitalist që shfrytëzon klasën punëtore, duke mbjellë kërpudha” nëse flasim me gjuhën e “Vetëvendosjes”.

    Lulzim Basha ka pasur avokat serioz në këtë histori. Atë e ka mbrojtur politikisht Isa Mustafa, kryetari i një partie të madhe dhe me identitet politik si LDK. E ka mbrojtur duke mbrojtur kauzën që akuzohet Lulzim Basha, dhe jo atë personalisht.

    E ka mbrojtur Sali Berisha duke deklaruar se disa krerë të UÇK-së kanë bërë krime në Kosovë dhe duhet të gjykohen për ato. Biles Hashimi duhet varur në shesh, sipas tij.

    Edhe Baton Haxhiu e ka mbrojtur personalisht, dhe Basha ka bërë spot special për Batonin, këtë radhë jo si tradhtar i kombit, por si njeri që mbron të vërtetën.

    Tani Lulzim Basha duhet të zgjedhë të mbrohet në këtë pozicion si kryetar i PD, jo si person privat, se si person privat punën e vet ka bërë.

    Si kryetar i Partisë Demokratike ai duhet të mbrojë qëndrimin politik të Sali Berishës dhe LDK-së, dhe kujtdo tjetër që pranon se në Kosovë ka pasur dhe krime të UÇK-së.

    Kjo shfaqja teatrale e një sharlatani nga Kosova, që nuk është as politikan, as njeri me histori politike, apo ish- luftëtar, por kultivues kërpudhash, në krah të Lulzim Bashës dhe pozicionimi i tyre në “unitet” si njerëz që mbrojnë UÇK-në, e bën Lulzim Bashën qesharak dhe pa identitet në këtë histori.

    E bën pak a shumë si ky tipi që ka ardhur nga Kosova të dalë në foto me Lulin, pasi e vetmja gjë e përbashkët e tij me Lulzim Bashën, është se të dy janë kthyer nga emigracioni dhe kanë bërë politikë në Kosovë dhe Shqipëri.

    Është më mirë të durosh gjithë ditën Taulant Ballën që të përsërit kasetën e Bellanicës, apo talljet e Edi Ramës, se sa të durosh mbrojtjen e Agim Bahtirit.

    Dhe e gjithë kjo vjen nga paqartësia dhe pasiguria që Lulzim Basha ka për të shkuarën e vet, dhe që mendon se atë mund t’ia pastrojë dhe ky tipi nga Mitrovica.

    Lulzim Basha akuzohet se është kryetar i PD dhe ai duhet të mbrohet dhe të mbrojë qëndrimin e PD. Vetëm ajo e nxjerr në breg.

    Këto teatralizmat e tij në mbrojtje të UÇK-së nuk i bëjnë nder as UÇK-së, siç thotë Isa Mustafa. I ka mbrojtur dhe Albin Kurti këta që kanë shkuar në Hagë, por ai ka qenë populist që në fillim, ka qenë kundër Gjykatës Speciale në Kuvend dhe nuk e ka votuar, dhe kundër gjykimit të krimeve të luftës nga ana e shqiptarëve.

    Në atë kohë që Albini votonte kundër në Kosovë, Lulzim Basha votonte pro në Strasburg për Gjykatën Speciale. Tani nuk mund të jesh edhe si Berisha, edhe si Isa Mustafa, edhe si Albin Kurti, edhe si Agim Bahtiri.

    Mund të jesh i tillë, vetëm po nuk di kush je. Dhe Lulzim Basha duket qartë që nuk e di kush është. Ky është gjithë problemi pse ngjit fushata kundër tij.


    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark