×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Kur lindi shteti

    Insajderi
    17 February 2021 - 19:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Teuta Krasniqi

    Viti 2008, për Kosovën dhe Shqipërinë, për shqiptarët në përgjithësi, konsiderohet historik dhe i jashtëzakonshëm, ngase ky vit shënon dy arritje të mëdha për kombin. Shënon pra, pavarësimin edhe de jure të Kosovës nga Serbia dhe po ashtu shënon anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Alencën më të madhe ushtarake-politike në botë.

    Këto dy ngjarje të rëndësishme mundësuan edhe krijimin e një realiteti të ri politik e gjeostrategjik në Ballkan. Pra, çuan më tej synimin historik të shqiptarëve për të qenë të barabartë me popujt e tjerë në rajon, duke rritur peshën politike, ekonomike e ushtarake të tyre.

    Më 17 shkurt 2008, siç do të thoshte Arbën Xhaferi, ‘nuk ndodhi vetëm akti i ngadhënjimit të së drejtës së një populli për liri dhe mëvetësi, por edhe dështimi i një projekti konkurrues global, kryesisht atij rus, që imponohej si alternativë e atij, kushtimisht të themi perëndimor, ndaj projektit të shoqërisë së hapur, demokratike, ku respektohet liritë dhe të drejtat e njeriut’.

    Por, ngadhënjimit të të drejtës së shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi, i parapriu një shekull përpjekje e sakrifica, por edhe një shekull dhunë, terror e gjenocid i Serbisë mbi ta.

    Shtetet lindin në bazë të vullneteve politike të popujve brenda një territori të caktuar gjeografik. Vullneti dhe projekti i shqiptarëve të Kosovës për pavarësi u formësua në bazë të realiteteve të reja që krijoi i shembja e komunizmit në botë, pas agresionit kushtetues dhe ushtarako-policor të Serbisë në Kosovë, si dhe pasi realizimi i idealit historik për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në ato rrethana ishte i pamundshëm.

    Pra, kërkesa për pavarësi të Kosovës lindi natyrshëm në një kontekst të caktuar historik dhe jetësimi i saj u bë i mundur tek pas luftës së armatosur çlirimtare dhe intervenimit të Perëndimit.

    17 shkurti i vitit 2008 i dha gjeografisë së Evropës dhe asaj të botës një pamje të re, ndërsa shqiptarëve u plotësoi një të drejtë të mohuar në dekada. Por jo vetëm kaq. Pavarësimi i Kosovës i dha një shtysë të re procesit të bashkëpunimit rajonal dhe euro-integrues të Ballkanit dhe gjithashtu, zhvillimit më të madh ekonomik të vendeve të Ballkanit.

    Nga pavarësia e Kosovës pra, fituan edhe fqinjtë e saj, sidomos Serbia. Pavarësisht që ajo edhe sot e kësaj dite vazhdon të ndërhyjë në funksionalitetin e brendshëm të shtetit të Kosovës dhe të pengojë afirmimin ndërkombëtar të saj, me pavarësimin e Kosovës Serbisë i është dhënë mundësia të lirohet nga ngarkesa e trashëgimisë së rrejshme historike, të ngulituar në memorien kolektive të popullit serb nga qarqe shtetërore, akademike e kishtare.

    Në këto 13 vjet të shtetësisë së saj, Kosova ka shënuar arritje të mëdha në shumë sfera, po aq sa ka edhe sfida para vetes.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark