×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Kur Prokuroria dhe AKP-ja përdoren për glorifikimin e Kadri Veselit

    Insajderi
    20 May 2016 - 11:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Për 17 vjet rresht prokurorët heshtën përballë uzurpatorëve të pronave shoqërore. Lejuan që uzurpatorët të bëjnë milionat kundërligjshëm. Heshti edhe Agjencia e Privatizimit, ndonëse e kishte për detyrë të largonte uzurpatorët.

    Agjencia e Privatizimit në dy muajt e fundit ka freskuar faqen zyrtare të saj me dhjetëra raporte me emra të uzurpatorëve e blerësve të ndërmarrjeve shoqërore, të cilët janë mbajtur sekret qe pesëmbëdhjetë vjet.

    Në anën tjetër, Prokuroria e Shtetit është aktivizuar për të larguar uzurpatorët nga pronat që i kanë mbajtur paligjshëm nën kontroll.

    Paradoksalisht, të dy institucionet e pavarura lëvizën në këtë drejtim pasi kjo u kërkua nga një prej njerëzve më të fuqishëm të politikës, Kadri Veselit.

    “Thërrasim që sa më shpejt të largohen nga pronat që kanë uzurpuar. Thërrasim edhe organet e gjyqësorit që të merren me këtë çështje”, pati deklaruar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës më 29 janar të këtij viti.

    Kjo ishte një deklaratë e denjë populliste për një lider në ardhje të partisë më të madhe në vend.

    Në fakt, ideja për ta bërë transparente AKP-në, e konsideruar si çerdhe e korrupsionit, mund ta çoi atë drejt glorifikimit si politikan që e ka seriozisht luftimin e korrupsionit.

    Por, e tëra kjo është një farsë. Është një përpjekje për ta mashtruar publikun duke rregulluar me letra një histori korrupsioni që zgjati më shumë se një dekadë. Është thjesht një investim për të ardhmen politike të Veselit.

    Raportet e publikuara nga AKP-ja janë vështirë të besueshme. Nëse, ky institucion ka mbajtur për mbi dhjet vjet sekret këto raporte, atëherë si mund të besojmë se të gjithë emrat e uzurpatorëve dhe blerësve të ndërmarrjeve shoqërore janë të përfshirë në këto raporte. Dyshoj se dhjetëra njerëz të fuqishëm, të cilët kanë blerë e uzurpuar prona të ndërmarrjeve shoqërore, nuk janë futur qëllimisht në listat publike.

    Për më keq, AKP-ja ka publikuar raporte të hartuara nga vetë kjo agjenci. Ato nuk janë raporte të audituara nga një auditor i jashtëm dhe si të tilla janë vështirë të besueshme.

    Edhe faktet anësore çojnë kah ajo se kërkesa e Veselit është më shumë politike se sa dëshirë e tij për luftimin e të keqes.

    Veseli, vetëm një ditë pas kërkesës bërë AKP-së, kishte marrë pjesë në inaugurimin e një biznesi të madh ku është aksionar Bekim Shyti, një biznesmen i akuzuar për pushtim të paligjshëm dhe kërcënim ndaj blerësit të një ndërmarrje shoqërore.

    Po ashtu,  hiq më larg se dje u emërua në krye të Agjencisë së Privatizimit një ish-deputete e PDK-së. Valbona Dibra mori postin e zv/drejtoreshës për shitje në AKP. Vendimi për ta emëruar njerëz të lidhur me PDK-në nuk përbën risi pasiqë kjo agjenci e pavarur është kontrolluar qe një dekadë nga PDK-ja e Veselit.

    Për më shumë se një dekadë, njerëzit e lidhur me PDK-në janë zhytur thellë në korrupsion me prona shoqërore. Veseli e ka të pamundur të amnistojë njerëzit e korruptuar të partisë së tij me publikime të raporteve të paaudituara të AKP-së.

    PDK-ja nuk mund të amnistohet pa u larguar nga prona e uzurpuar “Hotel Victory”, ku kjo parti për një dekadë ka mbajtur mbledhjet e këshillit drejtues dhe konventat e saj.

    PDK-ja nuk mund të amnistohet pa u sqaruar dyshimet që rëndojnë mbi dy njerëzit më të rëndësishëm që pati kjo parti në AKP, që janë Ahmet Shala e Dino Asanaj.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark