Autor: Zyhdi Hajzeri – Jurist
Dokumentimi i masakrave të luftës në Kosovë, përveçse një mision historik, është mbi të gjitha një proces që kërkon saktësi kirurgjikale juridike dhe gjuhësore. Rasti i fundit i prezantimit të Masakrës së Dubravës në ekspozitën ne Prishtine, ku referuar listave të nje organizate përdoret termi “persona të armatosur” për 48 viktima brenda burgut, hap një diskutim të rëndësishëm mbi rrezikun e zhveshjes se të dhënave nga kuptimi i tyre real i fakteve. Ndonëse autori mund të ketë synuar saktësinë statistikore, ai ka rënë në grumbullin e një pasaktësie esenciale që prek drejtpërdrejt natyrën juridike të krimit.
Nga pikëpamja e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, përdorimi i termit “i armatosur” për një person që ndodhet brenda mureve të një burgu është një gabim logjik dhe juridik. Neni 3 i Përbashkët i Konventave të Gjenevës është i prerë në mbrojtjen e personave që nuk marrin pjesë aktive në aktivitete te armatosur, duke përfshirë anëtarët e forcave të armatosura që kanë dorëzuar armët ose janë kapur si robër. Në momentin që një ushtar burgoset, ai automatikisht pushon së qeni “i armatosur” dhe kalon në statusin Hors de Combat (jashtë luftimit). Përgjegjësia për sigurinë e tij i kalon tërësisht shtetit që e mban nën mbikëqyrje. Të thuash se 48 veta ishin “të armatosur” në një institucion të sigurisë së lartë nuk është vetëm një absurditet logjistik, por një alibi e rrezikshme që i dhurohet propagandës serbe për të pretenduar se vrasjet ishin reagim ndaj një “kryengritjeje të armatosur” dhe jo një ekzekutim i planifikuar i personave të pambrojtur.
Ky problem thellohet edhe më shumë në rrafshin gjuhësor, ku konotacioni i termit “i armatosur” në gjuhen tone shqipe përshkruan një gjendje faktike momentale—pra, dikë që mban një armë në dorë apo në brez ne atë moment. Në dokumentimin e krimeve të luftës ne ato lista, rubrika “Statusi” nuk është një përshkrim i gjendjes momentale në skenën e krimit, por një kategorizim juridik i viktimës gjatë gjithë konfliktit. Kur në listat e organizatave humanitare shënohet statusi “i armatosur” apo “pjesëtar i forcave të armatosura”, kjo tregon thjesht përkatësinë e personit para se të binte në duart e armikut. Në rastin e Masakrës së Dubravës, çdo përpjekje për ta përdorur këtë status si dëshmi se viktimat ishin “të armatosura” brenda mureve të burgut, është një tjetërsim i rrezikshëm i realitetit.
Juridikisht, një person që ndodhet në burg, pavarësisht nëse ka qenë ushtar apo civil, gëzon statusin e mbrojtur të të burgosurit. Ne këtë rast saktësia e dokumentimit kërkon që rubrika “Statusi” (kush ishte viktima) të lexohet gjithmonë krahas rubrikës “Lokacioni” (Burgu) dhe Shkelja – Krimi ne këtë rast është Ekzekutim në robëri. Çdo shkëputje e këtyre kolonave nga njëra-tjetra nuk është thjesht një pasaktësi teknike, por një nxjerrje fatale nga realiteti që tenton të shndërrojë një krim lufte të pastër në një “përplasje ushtarake” imagjinare, duke fyer kujtimin e viktimave dhe duke i shërbyer drejtpërdrejt propagandës mohuese.
Për një lexues të huaj apo një vëzhgues ndërkombëtar, kjo fjali përkthehet sikur në burg kishte njerëz me armë, gjë që ndryshon rrënjësisht rrethanën e ngjarjes dhe kualifikimin e veprës. Duhet theksuar se zhveshja e të dhënave nga kuptimi i tyre real është një dëm që i bëhet edhe vetë viktimave. Ne këtë rast është përdoruar kategorizimi si mjet për të treguar se kush ishte ushtar e kush civil para luftës, por asnjëherë nuk pretendohet brenda te dhënave se ushtarët ishin “të armatosur” në momentin e masakrës. Saktësia do të kërkonte që këta 48 persona të cilësoheshin si pjesëtarë të forcave të armatosura në robëri, duke ruajtur kështu integritetin e tyre si viktima të një krimi lufte pa asnjë ekuivok. Çdo shmangie nga kjo saktësi nuk është thjesht një lëshim teknik, por një rrezik për tjetërsimin e historisë dhe zbehjen e përgjegjësisë penale të kryerësve të masakrës.