Miratimi i dy rezolutave nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës për procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndaj ish krerëve të UÇK-së, janë akte të rëndësishme institucionale dhe kombëtare, ndonëse të vonuara.
Shkruan: Ardian Bajraktari
Ky është një mesazh i qartë se përtej dallimeve politike, qëndrimi për drejtësi, për respektimin e sakrificës së luftës çlirimtare dhe për garantimin e një procesi të drejtë e të paanshëm është i përbashkët dhe përtej partive.
Rezolutat nuk paragjykojnë drejtësinë, por kërkojnë standarde të barabarta, transparencë dhe respektim të plotë të të drejtave themelore të çlirimtarëve.
Pavarësisht efektit të rezolutave, ato riafirmojnë vlerat e luftës së UÇK-së, si luftë çlirimtare dhe se historia nuk mund të rishkruhet përmes proceseve gjyqësore të padrejta, të stërzgjatura dhe me jo pak shkelje.
Në momente të tilla, kur tentohet të rishkruhet historia, uniteti institucional është domosdoshmëri.