Kurti 007, si u bë viral Kryeministri me deklaratat se takon fshehtas biznesmenë për t’u eskivuar armiqve – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti 007, si u bë viral Kryeministri me deklaratat se takon fshehtas biznesmenë për t’u eskivuar armiqve

    Insajderi
    21 July 2022 - 18:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dikush mund të jetë vetëm kurioz për të kuptuar se me kë takohet Kryeministri i Kosovës jashtë vendit. Por Kurti tha se shumë kollaj armiqtë mund ta kenë të njëjtin interesim, por për t’i prishur punë atij dhe për t’i bërë dëm Kosovës. Me deklaratën se ka pasur plot takime me biznesmenë  që nuk i ka bërë publike, Kryeministri u bë viral (lajm që përhapet shpejt), në portale dhe në rrjetet sociale.

    Qëndrimi i gjatë në Greqi këtë muaj e vuri kryeministrin në teh të disa kritikave, ndonëse shpejt reagoi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për të thënë se në resortin superluksoz ku po qëndronte Albin Kurti, “shpenzimet mbulohen nga organizatori”.

    Kryeministri u duk sikur po e priste një pyetje për qëndrimin e tij në shtetin helen dhe përgjigjen e pati të gjatë në një konferencë për media të mërkurën, pas mbledhjes së Qeverisë. Për takimet që i ka zhvilluar atje nuk e pyetën, por ai zgjodhi të tregonte vet se i kishte takuar afër 30 biznesmenë.

    “Unë kam qëndruar në Greqi në dy konferenca të njëpasnjëshme në të njëjtin vend, sikurse edhe në vitin e kaluar. Përveç takimeve që kam pasur me zyrtarë shtetërorë e me politikanë e diplomatë të ndryshëm e të shumtë, gjithashtu kam takuar afër 30 biznesmenë të ndryshëm për çështjen e investimeve në Kosovës, që janë një nevojë e madhe për ekonominë e vendit tonë”, tha Kurti.

    Ai tha se këta biznesmenë “nuk kanë qenë të gjithë grekë”. Si për të mbledhur më tepër kërshëri për takimet, Kurti vazhdoi me përshkrimin, duke theksuar se ai bën përpjekje të mëdha, që s’i bën publike, për të sjellur investime të huaja në Kosovë.

    “Një pjesë kanë qenë biznesmenë europianë e amerikanë të cilët janë në Greqi tashmë dhe unë përpjekjet më të mëdhaja që i bëj – edhe jo publike – janë në fushën e investimeve të huaja. Pra, që sa më shumë ta paraqes Kosovën si një vend atraktiv për investime. Por, këto takime, me pjesën më të madhe të tyre, nuk i bëj as me tupan e as me vuvuzela, për shkak se është e dëmshme”, tha kryeministri.

    Nuk ishte e sigurt nëse dikush do ta pyeste se pse do të ishte e dëmshme po të tregonte se kë e ka takuar. Prandaj, Kurti nuk u ndal. Argumentoi se si në atë rast, “armiqtë jo të paktë të Kosovës” do të kishin ndërhyrë.

    “Në momentin në të cilin disa prej këtyre takimeve do të publikoheshin që janë bërë me filan kompanie që të na ndihmojë në fushën e infrastrukturës, energjisë apo të prodhimit, s’do mend se shumë kollaj, prej armiqve jo të paktë të Kosovës do të mund të kontaktoheshin ata dhe më pastaj ta nxijnë imazhin e Kosovës – sepse i kanë mundësitë e mëdha për këtë gjë e vullneti s’iu ka munguar kurrë – dhe në këtë mënyrë ta vënë në hezitim një investitor të ardhshëm”, tha ai.

    Gazetarëve iu tregoi se çfarë i karakterizon investitorët dhe tha se këtë duhet ta kishin parasysh. Prandaj, Kurti shpjegoi se si, sipas tij, mbajtja e këtyre takimeve dhe mbajtja larg publikut e informacioneve rreth tyre është “një punë e cila bëhet me ndjeshmëri të lartë”, pasi tha se kjo “është sigurisht një çështje delikate”.

    “Investitorët e huaj – ta keni parasysh – i karakterizon informacioni asimetrik. Ai që dëshiron të investojë në Kosovë, kurrë nuk e ka as për së afërmi informacionin që e ka Kosova për vete. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm që ta evitojmë çdo propagandë negative për vendin tonë tek ata. Meqenëse ata e dinë që nuk dinë më shumë sesa ne dhe rrjedhimisht kollaj mund të ftohen dhe të hezitojnë, të ngurrojnë, ta kenë një mendim të dytë e të tretë, i cili më pastaj nuk i lejon që të konsiderojnë investimet në Kosovë. Kjo është një punë e cila bëhet me ndjeshmëri të lartë dhe është sigurisht një çështje delikate. Prandaj, edhe më shumë – mund të them – sesa për takime politike, për çështjen e investimeve e kam shfrytëzuar këtë qëndrim në Greqi në këto dy konferenca ku ka pasur shumë biznesmenë, duke iu falënderuar faktit që njërën konferencë e organizonte revista prestigjioze, “The Economist”, ku përgjithësisht ka më shumë biznesmenë sesa politikanë në konferencë”, tha Kurti.

    Deklaratat e kryeministrit nxitën reagime në internet. Analisti Astrit Gashi, shkroi në Facebook se argumenti i Kurtit është “i pakiptimtë për epokën në të cilën po jetojmë”.

    “KM Kurti po thote se ne Greqi ka zhvilluar takime me nje grup biznesesh, por ato nuk mund ti beje publike sepse do te degjojne armiqte dhe do te punojne kunder investimit potencial te tyre ne Kosove. Ky argument ose i arsyetim eshte i pakuptimt per epoken ne te cilen po jetojme, sepse sot ne bote “business intelegence” jo vetem qe bejne shtetet, kompanite e medha, por ne madje edhe naj “pilare” e vogel. Nje informate kaq bazike sot mund te mbahet fshehte nga opinioni publik vendor, por fatkeqesisht jo nga armiqt”, shkroi ai.

    “Shpresoj se takimet megjithate, do te sjellin risi ne investimet e huaja ne Kosove, pasiqe kjo do te ishte menyra me e mire per ti lene fjet armiqt tane”, shtoi Gashi.

    Gazetari Parim Olluri ironizoi, duke shkruar se “s’po bajmë mirë që po flejmë të tanë përnjëherë si popull”.

    “Eshte mire me ba roje me nderrime. Jemi te rrezikuar nga armiqte. Lideri yne, Albin Kurti, po na kallezon tane kohen per rrezikun. Po s’po ka kujt me i fole edhe ai. S’po marrim vesh”, shkroi ai.

    Shumë më gjatë se në Greqi, kryeministri Albin Kurti qëndroi në SHBA në maj.

    Shefi i Qeverisë vizitën atje e shfrytëzoi për të shkuar kryesisht në kompani të njohura globalisht në Kaliforni e Teksas dhe suksesi ose mossuksesi i këtij udhëtimi u tha se do të shihej më vonë.

    Mes kritikave për “takime jo shumë të rëndësishme” në Amerikë, aktiviteti i Kurtit atje u përshkrua si përpjekje e kryeministrit për ta bindur dikë që të vijë dhe të investojë në Kosovë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark