×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: 17 shkurti, goditja përfundimtare ndaj qeverisë

    Insajderi
    13 February 2016 - 15:10

    Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është duke numëruar së prapmi për protestën e 17 shkurtit, për të cilën ka thënë se do të jetë protesta më madhështore që nga përfundimi i luftës.

    “Jemi më pak se 100 orë deri në protestën e 17 shkurtit, që do të jetë edhe më masive dhe më madhështore se ajo e 9 janarit.  Protesta e 9 janarit të këtij viti ka qenë protesta më e madhe në Kosovën e pasluftës, ne do ta thyejmë këtë rekord më 17 shkurt,” ka thënë ai.

    Për më tepër, Kurti ka thënë se protesta e së mërkurës do të jetë goditja përfundimtare ndaj Qeverisë së Kosovës.

    Këto komente Kurti i ka bërë në një tubim me qytetarë të mbajtur në Prishtinë, që ishte organizuar nga tri partitë e bllokut opozitar.

    Kurti po ashtu ka folur për dëmin që sipas tij vendit i shkaktohen nga dy marrëveshjet që Qeveria e Kosovës ka arritur me Serbinë dhe Malin e Zi.

    Thirrje për rrëzimin e qeverisë ka bërë edhe deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.

    “Bashkë ia dolëm me i ndal marrëveshjet, bashkë do ta rrezojmë Qeverinë. Do të vazhdojmë edhe më 17 shkurt dhe populli do t’ia kthejë shpinën kësaj qeverie”, ka thënë ajo.

    Në emër të Nismës për Kosovën ka folur Shyqri Bytyqi, i cili ka thënë se pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare, “ky është momenti që çdo qytetar të jep maksimumin e tij në mbrojtje të vendit.”

    “Sot më ne nuk jemi vetëm opozitë e bashkuar, por jemi opozitë dhe popull i bashkuar në mbrojtje të republikës,” ka thënë Bytyqi, i cili foli në vend të Jakup Krasniqit, për të cilin tha se ka pasur disa problem shëndetësore.

    Më 17 shkurt, tri partitë opozitare kanë thirrur protestë në kundërshtim të dy marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës: për themelimin e asociacionit e komunave serbe dhe për demarkacionin me Malin e Zi./Insajderi

     

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark