Kurti bën një përmbledhje javore, harron ta përmend vendimin kryesor- faljen e 24 hektarëve – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti bën një përmbledhje javore, harron ta përmend vendimin kryesor- faljen e 24 hektarëve

    Insajderi
    17 March 2024 - 14:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Javë e mbarë me shumë punë të mira”. Kështu fillon shkrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ia ka bashkëngjitur një videoje të shpërndarë për aktivitetet kryesore të tij përgjatë javës. Mirëpo, në video s’përmendet kurrkund falja e 24 hektarëve Manastirit të Deçanit, në përputhshmëri me vendimin e Kushtetueses.

    Në postimin e kryeministrit përmendet shtrirja e rrjetit të Telekomit të Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, pajisjet e reja ushtarake gjermane për FSK’në dhe shtrimi i rrugëve ndërkufitare, ndër të tjera, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Javë e mbarë me shumë punë të mira. Nga interneti e rrugët e reja që na lidhin me veriun te investimet shtesë në FSK. Vazhduam në Prizren me transformimet në shëndetësi e investime në fabrikën e ujit në Gjilan”, thuhet në postimin e kryeministrit.

    “Pa harruar edhe nisjen për herë të parë të rrugëve ndërkufitare që na lidhin me Shqipërinë”.

    Mirëpo, në videon e tij përmbledhëse s’është përmendur kurrkund falja e 24 hektarëve të Manastirit të Deçanit.

    Kurti në mbledhjen e Qeverisë të së mërkurës tha se përfaqësues të shteteve të QUINT’it dhe akterë të rëndësishëm politik e kushtëzuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me zbatimin e këtij vendimi.

    “U bindëm që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjedhje të tretë. Si kryeministër i Republikës së Kosovës nuk na pëlqen ky vendim i çuditshëm i padrejtë dhe ka edhe procese të tjera gjyqësore pezull për këtë çështje. Ne si qeveri nuk kemi më mjete legale për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Kurti.

    Ai tentoi ta “zbusë” paksa situatën për ndjekësit e tij, duke thënë se s’do të ndryshojë qëndrim ndaj “këtij vendimi të dëmshëm”.

    “Nuk do ta ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë. Në anën tjetër nuk ka dyshim që anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm historik por edhe hap gjigant drejt njohjes së pesëshes”, deklaroi tutje shefi i Qeverisë. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark