Sot janë bërë 23 vjet që kur forcat serbe kanë hyrë me dhunë në familjen Deliu dhe kanë kryer masakra, në Abri të Epërme të Drenasit.
E në këtë ditë kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, dhe deputetë të Kuvendit, kanë vënë kurora të freskëta lulesh dhe kanë bërë homazhe para varreve të dëshmorëve.
Pas homazheve kryeministri Kurti tha se emri i atyre që pushojnë në ato varre do të kujtohet përherë.
“Të gjithë këta dëshmorë e martirë neve na e kujtojnë e na e përkujtojnë se sa i madh ka qenë çmimi i çlirimit edhe i lirisë, që rrënjët e tyre i kanë në gjakun e të vrarëve tanë. As emri i tyre nuk do të harrohet kurrë e as gjaku i tyre nuk do të humb kurrë”, tha Kurti.
Kurti tutje shtoi se kjo dhe shumë masakra të tjera janë dëshmi që në Kosovë është kryer gjenocid, ndaj popullatës civile.
“Është dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë që ka dashur ta shfaros popullin tonë nga trojet e veta autoktone”, theksoi kryeministri Kurti.