Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë sot se qëllimi i dialogu Kosovë-Serbi nuk është njohja reciproke, por normalizimi i marrëdhënieve.
Në konferencën për media Stano është pyetur nëse pajtimi i së hënës është njohje de facto, ai e ka mohuar një gjë të tillë.
“Qëllimi i dialogut nuk është njohja. Është normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi dhe përmbajtja e normalizimit caktohet nga të dyja palët. BE-ja është lehtësuese, ne nuk diktojmë çfarë të bëjnë”, ka deklaruar ai, përcjell Insajderi.
Sipas tij, mandati i BE-së është të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes finale ligjërisht obliguese për normalizim raportesh.
Kjo deklaratë e zëdhënësit të BE-së, demanton deklaratat e kryeministrit Albin Kurti i cili thoshte se propozimi evropian nënkupton njohje de facto.
Përkundër se njohja de facto nuk është pjesë e propozimit evropian, Kurti pas kthimit nga Brukseli theksoi se nuk ka hequr dorë nga njohja në qendër.
“Nuk kemi hequr dorë nga asgjë dhe do të vazhdojmë për qytetarët e Kosovës. Na presin takime e diskutime të vështira në muajt në vazhdim. Jam i hapur për çdo raportim në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi i pari i qeverisë. /Gazeta Insajderi