Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka marrë rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve teksa ka përçuar mesazh për qytetarët që do të votojnë nesër.
Me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka kërkuar nga qytetarët që të shikojnë qendrat e votimit në faqen e KQZ’së para se të dalin të votojnë, shkruan Insajderi.
“Të dashur qytetarë, nesër votojmë. Por para se të nisemi për në vendvotime, secili prej nesh duhet ta dijë saktësisht ku voton. Andaj, ju mund ta verifikoni qendrën tuaj të votimit në platformën e KQZ-së, përkatësisht në qv.kqz-ks.org. Procedura është shumë e thjeshtë: vendosni numrin personal dhe datëlindjen, dhe menjëherë do t’ju dalë emri i shkollës dhe numri i klasës ku votoni. Mos u nisni pa kontrolluar. Mos rrezikoni të shkoni në vend të gabuar e të humbni kohë apo të krijoni radhë të panevojshme. Merrni 1 minutë kohë sot ose para se të niseni, për një proces të qetë nesër”, ka thënë ai.
“E kur dimë vendin e kohën, shkojmë me siguri e me vendosmëri. Bëni gati dokumentin, kontrolloni vendvotimin, votoni 105. Për ata që nuk janë shumë të sigurt si ta bëni verifikimin, ju lutem ndiqni hapat në video-udhëzimin e shkurtër që kemi përgatitur, ose kërkoni ndihmën e mbesës ose nipit apo të ndonjë familjari ose miku që ta bëjnë ata verifikimin për ju. Bashkë për Komunat”, përfundoi Kurti. /Insajderi.org/