Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, pritën të shtunën në takim kryetaren e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri.
Gjatë këtij takimi, u fol për rëndësinë e dialogut social ndërmjet Qeverisë e sindikatave si dhe kontratën kolektive.
“Të dy palët u dakorduan për dinamizim të këtij procesi të rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurti foli edhe për Ligjin e Pagave që tashmë ka disa muaj që është në fuqi dhe i cili Ligj “ka siguruar mjekëve dhe punëtorëve shëndetësorë paga më të dinjitetshme, teksa mjeku specialist në Kosovë me këtë ligj ka një nga pagat më të larta në Ballkanin Perëndimor”.