×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti hero, Ali Ahmeti me Vuçiqin- Përçarjet që po i shkakton kryeministri në Maqedoninë e Veriut

    Insajderi
    11 February 2024 - 13:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon të përzihet në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut. Afrim Gashi, kryetar i Alternativës, pjesë e opozitës shqiptare që po përkrahet nga Vetëvendosja, ka barazvlerësuar Ali Ahmetin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërsa ka prezantuar aleancën shqiptare dhe Kurtin si heronj. Për këtë ka reaguar edhe BDI-ja.

    Gashi, me anë të një postimi në ‘Facebook’ mbrëmë ka marrë për shkas një deklaratë të Vuçiqit, i cili ka citohet të ketë thënë se Kurti po dëshiron të sundojë edhe në Maqedoninë e Veriut, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ai ka thënë se pas kësaj deklarate është bërë e qartë beteja politike. Ali Ahmetin e BDI’së e ka radhitur me Vuçiqin, ndërkaq opozitën shqiptare me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    “Prej sonte beteja jonë politike është bërë edhe më e qartë. Pyetja e zgjedhjeve të 8 majit do të jetë: “A jeni me Vuçiqin e Serbisë e Ali Ahmetin apo jeni me opozitën e bashkuar shqiptare – Lidhja Europiane për Ndryshim dhe Albin Kurtin?”. Më pastër se kaq nuk mund të bëhej. Njësoj edhe më lehtë për të vendosur”, ka shkruar ai.

    Për këtë ka ngjallur edhe reagimin e BDI’së. Anëtari i kësaj partie, Arbër Ademi, ka mbrojtur kryetarin e partisë së tij. Ai ka thënë se Ahmeti e ka mposhtur Vuçiqin në luftë.

    “Vuçiqin, ithtarin e Millosheviqit, Ali Ahmeti e ka fituar në luftë bashkë me Hashimin, Ramushin, Kadrinë, Rexhepin, Adem e Hamzë Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovcin. Frontin e forcave pro europiane nuk e ndal asnjë lidhje maqedono-serbo-ruse në ndihmë të derivateve të BDI-së!”.

    Kurti u sigurua ta bëjë prezencën e tij të ditur dje në Maqedoninë e Veriut. Për të u raportua një tentim-atentat ndaj tij prej nacionalistëve serbë atje.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, në anën tjetër, ka thënë se gjatë qëndrimit të Kurtit në Shkup nuk ka pasur tentim për vrasjen e tij. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark