Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe prijësi i AAK-së, Ramush Haradinaj kanë dalë me pak shpresë nga takimi me kryeministrin Albin Kurti për zgjidhjen e situatës në vend.
Gazeta Insajderi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim krerët e partive opozitare për të diskutuar në lidhje me situatën në veri të Kosovës.
Ftesës për takim sot në mëngjes i janë përgjigjur pozitivisht kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
I pasi në ndërtesë arriti kryeministri Kurti.
Pas, Kurtit arriti edhe kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku.
Më pas shkuan edhe Haradinaj e Krasniqi.
I pari që e la takimin ishte Haradinaj.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se është detyruar ta lëshoj takimin sepse Kurti iu mbante ligjërata.
Haradinaj tha se Kurti nuk tregoi përse i ka prishur raportet me Amerikën.
“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre.
Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, shkruan ai, transmeton Gazeta Insajderi.
Pas takimit foli edhe Krasniqi. Ai bëri të ditur se kanë diskutuar për situatën në veri të vendit.
“Siç e dini unë dje ja kam dërguar një letër kryeministrit ku ja kam shprehur shqetësimin për situatën në veri. Kemi hy në një fazë ku po shihet se nuk ka epilog të qartë. Më vjen mirë që ka reflektuar dhe na ka ftuar në takim. Patëm diskutim rreth situatës se si ka ardhur deri këtu”, ka thënë Krasniqi, shkruan Gazeta Insajderi.
Ai ka theksuar se nuk e di sigurt se çfarë veprime do të marrë qeveria lidhur me dorëheqjet e serbëve.
“Nuk mund të them se dola me siguri të madhe se qeveria e di se çfarë veprimi do të ndërmarrë për ta marrë situatën nën kontroll. Ja shpreha qëndrimin e PDK-së se në këtë moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme. Sa i përket vazhdimësisë të shtrimit të sovranitetit në katër komunat veriore duhet të marrë veprime që i takojnë dhe do e ketë përkrahjen e PDK-së”, ka deklaruar Krasniqi, shkruan Gazeta Insajderi.
Duke iu referuar Kurtit, i pari i PDK-së ka thënë se papjekuria në disa veprime dhe mungesa e koordinimit me aleatë kanë sjellë një momentum që ka mundur të shmanget.
“Është obligim i të gjithëve që Kosovën ta vendosim si prioritet. Ne kemi diskutuar edhe për procesin e dialogut, edhe për propozimin franko-gjerman. Unë e kam thënë në vend se të fokusohemi për arritjen e marrëveshjes finale ne sot po merremi me tema sporadike dhe teknike”, vazhdoi ai para gazetarëve pas takimit, shkruan Gazeta Insajderi.
Derisa Abdixhiku ka deklaruar se Kurti nuk kishte ndonjë plan konkret për të prezantuar përpos deklaratat e njëjta që i ka bërë publike tashme, “nuk kuptuam diçka të re“.
Ai thotë se Kurti nuk ka plan.
“Në këtë takim nuk kuprtuam diçka me të re se sa deklarimet publike që kryeministri i ka pasur, nuk kam ndonjë plan konkret për të zgjidhur çështjes së re të krijuar në veri të vendit. Dhe nuk pam ndonjë lëvizje për bashkëpunim të plotë me aleatët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi ai, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas tij, LDK ishte e qartë në kërkesat e saja.
“Kërkojmë koordinim të plotë me aleatët tanë për të stabilizuar situatën ne veri të vend si dhe i japim mbështetje për të vendosur ligjshmërinë në gjithë territorin e Kosovës”, thotë ai, shkruan Gazeta Insajderi.
Çfarë tha Kurti dje për situatën në Mitrovicën Veriore?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha dje se ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për destabilizmin e situatës në veri të vendit.
Kjo, sipas Kurtit, po ndodh për shkak se Vuçiqi ka refuzuar planin franko-gjerman, dhe kështu po i përdorë, siç tha ai, pjesëtarët e strukturave ilegale në veri, për ta destabilizuar.
“… për shkak të refuzimit që ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit, dhe për këtë po i përdorin ata [serbët në veri] që ende vazhdojnë t’i dëgjojnë, pra pjesëtarë të strukturave ilegale. Serbia është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje”, tha Kurti në konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shkruan Gazeta Insajderi.
“Beogradi e ka refuzuar planin franko-gjerman dhe tash po bën drama për ta maskuar refuzimin”, theksoi kryeministri i Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
Këto deklarime të Kurtit erdhën dy ditë pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj plani të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave që kanë targa serbe.
Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10 mijë makina me targa serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për riregjistrimin për targat.
SHBA-ja ka thënë se pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.
“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë Policinë, Gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Christopher Hill për televizionin N1.
Serbët ishin integruar në institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, pasi Prishtina dhe Beogradi kishin arritur një marrëveshje më 2013, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian./Gazeta Insajderi/