×
  • Lajme
  • Aktuale

    Kurti kopjon deklaratën e Thaçit për zgjedhjet serbe

    Insajderi
    18 March 2022 - 21:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    10 vjet më parë kur Serbia mbajti në maj zgjedhjet parlamentare e lokale, kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi kishte thënë se Serbia po bën përpjekje për agresion ndaj Kosovës. Një deklaratë e ngjashme, u përsërit sot edhe nga shefi aktual i ekzekutivit, Albin Kurti.

    Më 6 maj 2012, Serbia mbajti zgjedhje parlamentare e lokale. Kryeministri Thaçi, atë kohë kishte deklaruar se të vetmet zgjedhje lokale në Kosovë, organizohen nga institucionet e saj dhe jo nga vendet fqinje.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson këtë pretendim të Serbisë si një përpjekje për agresion ndaj Kosovës, një pretendim për sjellje anti-evropiane në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, që bien ndesh me të gjitha vlerat evropiane dhe euro-atlantike, që bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë”, kishte thënë mes tjerash Thaçi.

    Një deklaratë e ngjashme u përsërit sot nga kryeministri aktual, Albin Kurti, i cili njëjtë si politikani të cilin e konsideroi si kundërshtar politik për shumë vite, vlerëson se Serbia po tenton ta destabilizojë vendin.

    “Nuk kemi diskutuar veçanërisht për zgjedhjet e 3 prillit që i organizon Serbia, dëshirojmë që në Kosovë të respektohet kushtetuta, ligji dhe rezoluta e 15 janarit dhe nuk duam t’ia pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë të drejtën e tyre të votës. Jemi optimist për rrugën përpara, mund të ketë dikush qe dëshiron destabilizim, eksese, incidente, mirëpo këtë nuk do ta gjeni në radhët e popullit të Kosovës dhe as të institucioneve të Republikës, jemi në kontakte me Brukselin, ambasadat e QUINT-it, natyrisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, besojmë qe nuk do të ketë kurrfarë problemesh dhe ata që do të mund të paramendojnë, ose larg qoftë të tentojnë, nuk do të mund të kenë sukses, kemi nevojë për paqe në Ballkanin Perëndimor dhe dita e 3 prillit nuk besoj që të do të jetë ndryshe”, ka thënë Kurti lidhur me zgjedhjet e Serbisë që pritet të mbahen më 3 prill.

    Kurti vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë më 3 prill të vitit 2022. Megjithatë, ai gjendet në presion nga aleatët perëndimorë të vendit në lidhje me këtë çështje.

    BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që të arritet një marrëveshje rreth mbajtjes së zgjedhjeve serbe, derisa pikërisht për këtë temë, Kurti ditë më parë mori një telefonatë nga Departamenti i Shtetit Amerikan./Demokracia/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark