Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ndodhet në një moment historik transformimi.
Përmes një postimi në Facebook, ai bëri të ditur se që nga 19 dhjetori i vitit të kaluar, KEK-u po prodhon me kapacitetin maksimal të saj, me 5 njësi gjeneruese.
“Korporata Energjetike e Kosovës ndodhet në një moment historik transformimi. Investimet tejkalojnë 500 milionë euro, për ta bërë këtë ndërmarrje moderne, të qëndrueshme dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian”, shkruan Kurti.
Ai shtoi: “Që nga 19 dhjetor i vitit që sapo lamë pas, KEK-u është duke prodhuar me kapacitetin maksimal të saj, me 5 njësi gjeneruese, në mënyrë që të kontribuojë në sigurinë e furnizimit në këto ditë të ftohta fundvitit dhe fillimvitit, kur konsumi është i lartë”.
Kurti theksoi më tej: “KEK-u sot po forcon themelet e energjisë së të ardhmes: një KEK më i fortë, më modern, më i sigurt dhe më i gjelbër, në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të brezave që vijnë”.
Ai foli edhe për projektet që pritet të fuqizojnë më tej këtë korporatë: “Modernizimi i turbinave dhe investimet tjera në njësitë B1 dhe B2, rehabilitimi i thellë i njësisë A3, investimet madhore në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, dhe hyrja për herë të parë e KEK-ut në sektorin e energjisë së ripërtërirshme përmes parkut solar, janë tejet të rëndësishme për sigurinë energjetike të vendit, stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin afatgjatë. Me përfundimin e këtyre projekteve, Kosovës do t’i shtohen rreth 150 MË kapacitete shtesë në termocentralet ekzistuese dhe 100 MË kapacitete të reja gjeneruese nga burimet e ripërtërirshme”.
Kurti nuk la pa falënderuar punonjësit dhe menaxhmentin e KEK-ut: “Falënderoj punonjësit dhe menaxhmentin e KEK-ut për punën dhe profesionalizmin, dhe Bordin e Drejtorëve dhe Ministrinë e Ekonomisë për mbikëqyrjen dhe përkrahjen për KEK-un në këto projekte transformuese”.