Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vizitën e tij në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës së Austrisë, ka vendosur ta harrojë për një moment Zajednicën dhe ta vizitojë Muzeun Kunsthistorisches në kryeqytetin austriak.
Vizitën Kurti e ka njoftuar në ‘Instagram’-in e tij, teksa ka bërë të ditur se po shoqërohej edhe nga ish-ambasadori austriak në Kosovë, Christoph Weidinger, shkruan Gazeta Insajderi.
Në përshkrimin që ia ka bashkëngjitur fotografive nga muzeu, Kurti me shprehjet e tij prej një poeti tregon se soditja e pikturave rrezikonte marramendjen.
“Para tre muajve e kishim lënë të takoheshim në Kunsthistorisches Museum në Vjenë me mikun tim, ish ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger”, shkruan ai.
“Carravaggio, Tizian, Rembrandt, Velazquez, Rubens, Bruegel, Vermeer… Para se magjepsja të bëhej marramendje kalonim te piktura tjetër, jo pse i kishim vetëm një orë kohë”, përfundon postimi i tij.
Kurti pak ditë më parë ka bërë të ditur se ka pranuar draft-statutin e asaj që gjatë kohës sa ishte në opozitë e quante Zajednicë. /Insajderi.org/