Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në Samitin e Berlinit, së bashku me pesë liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Pas samitit, Kurti ka folur edhe për masën e shkallëzimit sa i përket personave që vozisin vetura me targa ilegale.
Ai tha se 21 nëntori është dita kur nis gjobitja e vozitësve me targa ilegale.
“Ajo është dita kur makinat të cilat insistojnë të qarkullojnë me targa ilegale, do të duhet të fillojnë të paguajnë gjoba”.
“Nuk jam i interesuar që dikush të gjobitet, jam interesuar që targat të konvertohen nga ato ilegale të lëshuara nga Serbia, në targa legale të lëshuara nga institucionet e Kosovës”, u shpreh Kurti.