×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Kurti me “ofertë bujare” për Asociacionin, çfarë ngjau?

    Insajderi
    21 March 2023 - 23:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    I ndërtuar pothuajse gjatë tërë karrierës së tij politike në kauzën kundër një lidhje horizontale dhe vertikale të komunave të banuara me shumicë serbe qysh prej shfaqjes së Planit të Ahtisaarit i cili kulmoi në shpalljen e pavarësisë, sot Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për herë të parë në mënyrë eksplicite njoftoi se ka patur një “ofertë bujare” ndaj Presidentit të Serbisë, për t’ia hartuar dhe propozuar një Asociacion të Komunave të populluara me shumicë serbe, shkruan Insajderi.

    “Pasi refuzoi të firmosë Marrëveshjen e 27 shkurtit dhe para se të refuzojë ta nënshkruajë atë me Shtojcën e 18 marsit, Presidenti i Serbisë [Aleksandar Vuçiq] ma refuzoi ofertën bujare të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës, në një Asociacion [të komunave me shumicë serbe] që do ta hartoja dhe propozoja [unë]. A është i Dr. No apo Z. Nyet? Epo, e dimë që ai s’është doktor”, shkroi Kurti në Twitter.

    Ndonëse me t’u paraqitur Plan-Propozimi evropian prej formave fillestare të saj e deri në konkretizimin e saj në tekst final Kurti e kishte pranuar për “bazë të mirë” të negociatave të mëtejme, ku përfshihej zbatimi i Asociacionit [2013] dhe “dhënia e një niveli të duhur/të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb”, ai i ishte shmangur një referenceje të drejtpërdrejtë të saj.

    Gjuhën e tij ai e kishte stëraritmetizuar deri në proporcione të formulimeve të Asociacionit si “ajo përbën 6 pikat e para të një marrëveshje 15 pikëshe e cila është e 16’ta prej 39 syresh […]” ndërsa për Asociacionin brenda Plan-Propozimit të BE’së, “ai është neni 10, praktikisht fjalia e fundit”.

    Por, lojës aritmetike të Kurtit i nisi numërimi mbrapsht me pajtimin për Marrëveshjen Bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Nëse nuk ka Asociacion [të komunave me shumicë serbe], nuk ka as marrëveshje”, ishte decidivisht i prerë Përfaqësuesi Special i BE’së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, vetëm disa ditë para takimit trepalësh në Ohër, shkruan Insajderi.

    Ndërkaq ajo që u quajt “Maratona e Ohrit” përfundoi në “Sprintin e Asociacionit” kur Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, njoftoi se “ka ujdi”. Kosova, tha ai, ndërmerr detyrimin e menjëhershëm të zbatojë Asociacionin. “Kur them menjëherë, them menjëherë”, tha Borrell, se “Kosova nis zbatimin e menjëhershëm të Nenit 7 për t’u siguruar një nivel të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb të Kosovës” sipas marrëveshjeve paraprake, e ku përfshihej Asociacioni.

    Ndërkaq edhe amerikanët i ranë borisë së thirrjeve të palëkundura të tyre për themelimin “urgjent” të këtij Asociacioni. Kurti, në Ohër, siç bëri të ditur Aleksandar Vuçiq në konferencën e tij për media më 19 mars, gjatë 13 orëve negociata i kishte tri kushte për Asociacionin.

    Letra e ish-Përfaqësueses Speciale të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini se Asociacioni nuk do të përbënte nivel të tretë të pushtetit dhe se as nuk do të kishte kompetenca ekzekutive. Kushti i dytë ishte që ajo të ishte në pajtim me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe sipas Kushtetutës së Kosovës. Dhe së treti, editoriali i Këshilltarit të Lartë të DASh Derek Chollet dhe Emisari i Posaçëm i DASh për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, ku garantonin që ky Asociacion do të jetë plotësisht në pajtim me ligjet e Kosovës.

    Ndërkaq, ai muajin e shkuar pati artikuluar “gjashtë kushte” për mundësinë “e konsiderimit” të këtij Asociacioni, ku ndër më të theksueshmet ishin ajo që “Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet vetëm pas njohjes reciproke”, kusht ky i cili nuk e tejkalon as veten ngase Marrëveshjen që ka pranuar nuk është “Finale” por “Ndërmjetme” dhe në të nuk ka njohje reciproke, por ka “mosparagjykim të statusit” me të hyrë në Preambulë.

    Kurti njihet për kundërshtarin më strikt ndaj Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të cilën ai e quante “Zajednicë” për efekt retorik dhe mobilizim të mendjeve, dhe ankohej se pse nuk quhej “Udruzhenje”. Zajednicën, sipas tij, mund ta donte vetëm “serbofili, mazohisti dhe i shantazhuari / korruptuar”.

    Ndërkaq vetëm sot njoftoi se pati një “ofertë bujare” për një Asociacion (serbisht: Zajednicë) komunash të populluara me shumicë serbe. Një fantazmë po e ndjekë Albin Kurti, fantazma e Asociacionit./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark