Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova po i ndjek zhvillimet në Ukrainë dhe “jemi të indinjuar nga agresioni ushtarak i paligjshëm, i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë kundër një shteti fqinj”.
“Ne duam që Ukraina të fitojë. Kjo fitore, nga këndvështrimi im, do të thotë çlirim i të gjithë territorit të vendit nga trupat ruse, paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët, respektim i sovranitetit shtetëror dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë ndër të tjera kryeministri në këtë intervistë.
Ai tha se kur shpërtheu një luftë në shkallë të gjerë në Ukrainë, “të gjitha kujtimet nga e kaluara u kthyen. Edhe për ne ishte e vështirë, sepse populli i Kosovës në agresionin ndaj Ukrainës e pa gjithë tmerrin që përjetoi në vitet 1998-1999 gjatë luftës në vendin e tyre”.
“Një arsye tjetër për mbështetjen tonë për Ukrainën është më shumë politike, e lidhur me pasojat e mundshme për Ballkanin. Mund të supozohet se Rusia ka plane për të zgjeruar luftërat që po bën. Përfshirë territorin e rajonit të Ballkanit”, deklaroi Kurti.
Kryeministri thotë se Bashkimi Evropian ka arritur shkallën më të lartë të unitetit për shkak të luftës në Ukrainë.
Ndër të tjera, kryeministri Kurti e quajti presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq një “Putin të vogël”.
“Serbia dhe Rusia bashkëpunojnë dhe tregtojnë armë. Serbia ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë. Rusia është partneri i katërt më i madh tregtar i Serbisë pas Gjermanisë, Kinës dhe Italisë”, tha Kurti.
Kryeministri tha se ka “shumë besim në NATO”.
“Nuk mendoj se brezi ynë mund të mendojë për një ombrellë më të mirë sigurie për demokracinë dhe përparimin sesa Aleanca e Atlantikut të Veriut. Kështu që unë me të vërtetë dua të shoh NATO-n të forcohet në mbarë botën, por veçanërisht në Evropë. Dhe garancitë e sigurisë që na duhen duhet të jenë në kuadër të aktiviteteve të saj”, potencoi Kurti.