×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kurti në opozitë: Zajednicën e pranon kush është serbofil

    Insajderi
    28 February 2023 - 20:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil“, kështu deklaronte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjërsa ishte i ftuar në një studio televizive mbi qëndrimet e tij si opozitar në vitin 2015-të.

    Ashpërsia e tij dhe kundërshtia ndaj një marrëveshje të tillë, përpos që vërehej nga fjalët që përdorte, dallohej edhe nga intonacioni dhe ngrysja e fytyrës së tij.

    Ai thoshte se “Zajednica është Zajednicë e Serbisë për serbët sipas pikpamjes së Serbisë”.

    “Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil. Vetëm nga pozita e një serbofilie mund ta pranosh Zajednicën dhe kjo po na ndodh tash. Zajednica është Zajednicë e Serbisë për serbët sipas pikëpamjes së Serbisë. Kushdo që e argumenton pozitivisht Zajednicën është serbofil”, deklaronte me ashpërsi opozitari Kurti në intervistën e tij në KTV.

    Kurse dje, plotë tetë vite më vonë, ish-opozitari i cili tashmë ushtron detyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ishte përballë kësaj çështjeje, ta pranojë ose jo propozimin evropian e cila në dy nene të saj përmban pikërisht çështjen e “Zajednicës”.

    I ulur përballë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, afër të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borell ai nënshkroi një marrëveshje.

    Neni 7 i marrëveshjes parasheh dhënien “e një niveli të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb të Kosovës” ndërsa Neni 10 kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, ku më e theksueshmja është ajo e Asociacioni të Komunave me Shumice Serbe. Të dyja këto pika Kurti i ka pranuar pa ua hequr e as shtuar as edhe një germë, siç njoftoi dje në konferencë për shtyp Josep Borrell.

    VIDEO:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark