Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur para takimit të sotëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke shprehur optimizëm se mund të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës.
Kurti ka deklaruar se takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të gjetur së bashku një emër për Presidentin e ri dhe për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Ashtu siç jemi marrë vesh, në mënyrë që vendit bashkërisht t’ia sjellim emrin për Presidentin e ri dhe t’i evitojmë zgjedhjet e reja të panevojshme”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se palët do të jenë të hapura sa i përket procesit, por ka kërkuar që bisedimet të mbahen konfidenciale deri në arritjen e një marrëveshjeje.
“Do të jemi të hapur karshi juve sa i përket procesit, por deri kur të kemi marrëveshje na duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve”, ka thënë Kurti.
Para takimit me Abdixhikun, Kurti ka shprehur besim se procesi mund të përfundojë me rezultat pozitiv, duke thënë se në takim po shkon me vullnet të mirë.
“Unë gjithmonë pres më të mirën, prandaj edhe me vullnet të mirë po shkojmë në takim sot”, është shprehur ai.