Kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve.
Kurti e ka cilësuar këtë rezultat si fitoren më historike për partinë e tij, duke e vlerësuar mbështetjen e marrë nga qytetarët si dëshmi të besimit ndaj qeverisjes së deritanishme.
“Më 9 shkurt sivjet fitoi LVV me partnerët, më 28 dhjetor 2025 filloi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit!”, ka deklaruar Kurti.
Ai është shprehur gjithashtu i interesuar për bashkëpunim me partitë opozitare, veçanërisht në çështjet që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare dhe interesat shtetërore të Kosovës.
“Në Kuvendin e legjislaturës së dhjetë po na pret Plani i Rritjes së BE-së në vlerë prej 880 milionë euro, prej të cilave 2/3 janë kredi ndërkaq 1/3 grante dhe 3 marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë prej 120 milionë euro. Pra mbi 1 miliardë euro gjithsej. Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet e mira që do t’i procedojmë dhe për interesin publik të qytetarëve”, tha Kurti.