Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sulmi terrorist i ndodhur në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok nuk ka arritur të parandalohej, për shkak të gjatësisë së kanalit dhe “imagjinatës kriminale terroriste”.
Kurti këtë e ka thënë në një konferencë për media të dielën, duke thënë se beson se organet e rendit dhe inteligjencës kanë qenë në krye të detyrës, shkruan Insajderi.
“Kanali Ibër-Lepenc është një kanal prej mbi 50 kilometra dhe natyrisht që është tejet e vështirë që ai të kontrollohet dhe të jetë në mbikëqyrje 24/7 në tërë gjatësinë e tij. Pra, nuk bëhet fjalë për 50 metra, as për 500 metra, as 5 kilometra, por më shumë se 50 kilometra. Në veriun e Kosovës jemi të hendikepuar, meqë ushtria jonë që nga zotimi i ish-kryeministrit Thaçi nuk mund të shkojë në veri të Ibrit dhe në këtë mënyrë atje nuk është situata sikurse në pjesë të tjera të vendit. Imagjinata demokratike nuk arrin gjithmonë ta përthekojë imagjinaten kriminale terroriste, këso sulmesh iu ndodhin edhe vendeve të zhvilluara demokratike perendimore, madje do thosha më shumë se tek ne”, deklaroi ai.
“Pikërisht për shkak se e kanë humbur kontrollin me struktura paralele, tash nga nervoza i rrisin aksionet e këtilla terroriste, meqenëse nuk e posedojnë më veriun e Kosovës. Ata kanë humbur, mirëpo ata nuk dëshirojnë që ne të jetojmë. Unë besoj që, duke pasur parasysh se nuk kemi pasur njerëz të vdekur dhe duke qenë se po i sanojmë këto dëme material, kollaj është të flitet sot se çka do të bënim sikur ta dinim çfarë ka ndodhur. Organet tona të sigurisë dhe inteligjencës kanë qenë në krye të detyrës”, vijoi kryeministri.
“Edhe unë si kryeministër nuk arrij ta përthekoj të këqijat që i imagjinojnë ata”, tha ndër të tjera Kurti. /Insajderi.org/